Copenhagen fiton përballjen e parë ndaj Dritës

22 korrik 2025 | 21:06

Copenhagen ka triumfuar me rezultat 2-0 ndaj Dritës në ndeshjen e parë të rrethit të dytë kualifikues në Ligën e Kampionëve, duke siguruar një epërsi të rëndësishme para përballjes së kthimit në Prishtinë.

Kampioni i Kosovës e nisi takimin me besim dhe disiplinë taktike, duke u përballur denjësisht me një kundërshtar të kalibrit më të lartë. Edhe pse Copenhagen dominoi në zotërim dhe krijoi më shumë raste, mbrojtja e Dritës rezistoi për më shumë se një orë.

Rasti më i mirë i pjesës së parë erdhi në minutën e 33-të, kur Mohamed Elyounoussi goditi të dy shtyllat në një aksion dramatik, por Faton Maloku reagoi në kohë dhe e kapi topin në vijën fatale. Në këtë pjesë loje, gjyqtari Martin Matosa ndëshkoi me karton të verdhë vetëm dy lojtarë të Dritës: Albert Dabiqaj dhe Vesel Limaj.

Pjesa e dytë u hap me më shumë intensitet dhe ritëm nga të dyja palët. Drita krijoi një mundësi të mirë në minutën e 51-të me Besnik Krasniqin, por goditja e tij u ndal nga portieri danez.

Epërsia e vendasve erdhi në minutën e 67-të kur Raddy Ovouka ndali Elyounoussin në zonë dhe arbitri akordoi penallti. Magnus Mattsson u tregua i saktë nga pika e bardhë dhe shënoi për 1-0.

Pesë minuta më vonë, situata u përsërit: Ovouka shkaktoi edhe një tjetër penallti, këtë herë pas konsultimit me VAR. Edhe kësaj radhe, Mattsson u tregua i saktë duke e dyfishuar epërsinë në 2-0.

Në minutën e 78-të, Faton Maloku realizoi një pritje të shkëlqyer ndaj një goditjeje të fortë të Elias Achouri, duke e mbajtur Dritën në lojë për një rezultat më të ngushtë.

Pavarësisht humbjes, Drita ruan shpresat për ndeshjen e kthimit që do të zhvillohet në Prishtinë pas një jave. Skuadra gjilanase ka treguar se mund të reagojë, dhe do të kërkojë të përmbysë rezultatin përpara tifozëve të saj.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Avokati i Ardian Bajraktari ka vlerësuar se ish-krerëve të UÇK-së,…