Covid-19 në Ballkan, Maqedonia e para me viktima

06 gusht 2020 | 08:54

Të dhënat flasin se Maqedonia e Veriut gjendet në mesin e 10 vendeve të Evropës sipas numrit të viktimave në një milion banorë. Konform numrave të fundit kanë ndërruar jetë 240 pacientë në një milion banorë që Maqedoninë e rendit në vendin e nëntë në Evropë dhe e bën lider në rajon

Ballkani Perëndimor mund të konsiderohet si vatra e re e nxehtë e koronavirusit në Europë. Vetëm në 24 orët e fundit në të 6 shtetet e rajonit, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Veriut, Mal të Zi, Serbi e Bosnje janë regjistruar 1334 raste të reja infektimesh dhe 41 viktima.

Prej disa ditësh, infektimet ditore janë mbi 1 300 në gjithë rajonin tonë që ka një popullsi prej afro 18 milionë banorësh. Ritmet ditore të infektimit janë më të lartat se në çdo vend tjetër të Evropës që ka një popullsi të njëjtë apo më të madhe. Spanja që ka mbi dyfishin e popullsisë dhe ka qenë vatra e dytë më e madhe e kontinentit ka raportuar mbi 2 mijë raste të reja infektimesh gjatë 24 orëve të fundit, më e larta në Europë për një shtet të vetëm, por që gjithsesi është më e ulët se vendet e Ballkanit Perëndimor, në përpjesëtim me numrin e popullsisë. Sipas shifrave më të fundit, në vendet e Ballkanit Perëndimor infektohen çdo ditë 0.007% e popullsisë, ndërsa në Spanjë e njëjta përqindje është 0.004. Aktualisht Bosnja është vendi me numrin më të lartë të infektimeve ditore në rajon, siç duket edhe në këtë tabelë. Ndërsa vendet me më pak infektime ditore në rajon janë Shqipëria dhe Mali i Zi.

Në ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 75 raste të reja me Covid-19 duke e çuar numrin e përgjithshëm në 11.202 të prekur. Autoritetet e shëndetësisë kanë raportuar edhe për 5 viktima tjera kurse janë shëruar 136 pacientë. Deri më tani janë bërë mbi 105 mijë testime që do të thotë se çdo i dhjeti i testuar ka rezultuar pozitiv. Sipas statistikës zyrtare, çdo i njëzet i dyti rast pozitiv përfundon me vdekje.

Të dhënat flasin se Maqedonia e Veriut gjendet në mesin e 10 vendeve të Evropës sipas numrit të viktimave në 1 milion banorë. Konform numrave të fundit kanë ndërruar jetë 240 pacientë në 1 milion banorë që Maqedoninë e rendit në vendin e 9-të në Evropë dhe e bën lider në rajon. Nga Ballkani, Bosnja e Hercegovina shënon 110 viktima në 1 milion banorë, në Mal të Zi 83 viktima, në Serbi – 68 dhe në Shqipëri – 60. Statistikë më e mirë shënohet në Greqi ku nga fillimi i krizës kanë ndërruar jetë 209 pacientë apo 20 në 1 milion banorë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komunën e Istogut sot do ta vizitojnë tre ministra të…