
Cramon: Procesin e vizave po e bllokon Franca
Avdullah Hoti dje është paraqitur para Komisionit për Punë të Jashtme të Bashkimit Evropian. Ai para kësaj trupe ka raportuar gjerë e gjatë për gjendjen në Kosovë, për bisedimet me Serbinë dhe për marrëveshjet në Uashington. Hoti ka kërkuar që Kosovës t’i liberalizohen vizat, duke shtuar se Kosova është e përkushtuar për integrimet evropiane. Po në këtë takim e pranishme ishte edhe përfaqësuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola Von Cramon.
Ajo ka dhënë një intervistë për televizionin T7.
Von Cramon, duke folur për procesin e liberalizimit të vizave, ka thënë se këtë proces po e bllokon Franca. Sipas saj, lufta për integritet, transparencë e kundërkorrupsionit do të ndihmonte në ndryshimin e qasjes së francezëve për këtë temë.
Ndërsa marrëveshja e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë, sipas Von Cramon, i ndihmon më shumë fushatës së Trumpit sesa popullit të Kosovës.
Ndërkohë, qasjen e Grenellit ndaj Kosovës ajo e cilëson më shumë si polarizim i situatës.
Ajo thotë se dialogu duhet të udhëhiqet nga Bashkimi Evropian.
Viola Von Cramon është emëruar raportuese për Kosovën pas zgjedhjeve të fundit për Parlamentin Evropian.