Cramoni, Vuçiqit: S’është mirë të jesh në anën e Putinit, Kosova dhe Serbia duhet ta kenë vendin në BE
Eurodeputetja Viola von Cramon, ka deklaruar se ka zhvilluar së fundi një bisedë shumë të rëndësishme me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq.
Ajo ka thënë se me këtë rast kanë diskutuar lidhur me marrëdhëniet e Serbisë me Rusinë, teksa ka theksuar se Serbia duhet të vendos se në anën e kujt është. Cramoni ka theksuar se nuk është mirë të jesh në anën e presidentit rus, Vladimir Putin, apo thënë qartë në anën e gabuar të historisë.
“Ne diskutuam për disa tema, duke filluar nga çështja e sanksioneve energjetike, varësia energjetike nga Rusia, alternativat e ndryshme për Serbinë, duke përfshirë burimet e ri përsëritshme të energjisë, efikasitetin e energjisë”, ka thënë Cramoni.
Ajo ka thënë se padyshim që me Vuçiqin ka diskutuar edhe për marrëdhënien e ngushtë që ka Serbia me Rusinë.
“Ne folëm edhe për lidhjet ekonomike dhe ato infrastrukturore ruse, e që kanë ndikim në politikën e jashtme të Serbisë si dhe në hapësirat për manovrim. Do të ishte mirë që Serbia të zvogëlojë varësinë e saj nga karburantet e Rusisë. Mendoj se BE-ja është e interesuar që ta afrojë Serbinë me Bashkimin Evropian, por sigurisht i takon Serbisë që të vendosë diçka të tilla. Ne e bëjnë të qartë se partnerët tanë evropianë janë në përputhje me masat tona evropiane, e që do të thotë se përfshihen edhe sanksionet”, ka deklaruar.
Më tutje, eurodeputetja ka theksuar se i takon presidentit dhe qeverisë serbe që të vendosin se si ta trajtojnë këtë çështje.
“Presioni për atë çështje do të rritet. Nuk është në dorën e BE-së, por është një vendim që duhet ta merrni, se në anën e kujt jeni. Pra a e sheh vendin e tij në BE, në familjen evropiane. Serbia është padyshim evropiane, e është në interesin edhe tonë që Serbia të jetë në përputhje me politikën e BE-së”, ka thënë ajo, duke shtuar se nuk ka biseduar shumë për detajet e kësaj çështje.
“Unë mendoj se ai është i vetëdijshëm se varësia nga Rusia nuk është e shëndetshme dhe e mirë për ekonominë serbe, se lufta është le të themi një manovër e rrezikshme, nuk është mirë të jesh në anën e Putinit, apo në anën e gabuar të historisë. Jam i sigurt se kemi rënë dakord për këtë”, ka thënë Cramoni, duke shtuar se dëshiron që Serbia të anëtarësohet në BE, pasi kjo është në interesin e të gjithëve.
“S’bëhet fjalë vetëm për Serbinë. Ne duhet të sigurohemi që Kosova të marrë vendin e saj. Nuk është në interesin tonë që Serbia të lobojë kundër pavarësisë së Kosovës. Do të doja që Kosova të ishte në të njëjtin nivel me Serbinë brenda BE-së”, është shprehur ajo.



