Cuclla

14 janar 2022 | 10:14

DONIKA DABISHEVCI

Vrap në të shkuar, vrap duke u kthyer. Shpejto, i tha vetes, shpejto, pa ia ndarë sytë stacionit të autobusëve që nuk ishte shumë larg. Kishte disa minuta distancë, por shiu që binte rrëmbyeshëm sikur e zgjaste rrugën. Dukej sikur s’do të ndalej kurrë. Piklat e mëdha shtyheshin edhe ato si në të ngutur. Mërmëritin mbase edhe ndonjë sharje mes vete rrugës e përplaseshin egër në asfaltin e nxehtë. Nga larg shihej avulli që ngritej lehtas e përhumbej shpejt si një lloj dridhjeje e lehtë eksitimi pas një takimi të befasishëm me gruan e dëshiruar që ende nuk ia kishe gjetur kodin për t’iu qasur, duke parë anash, para e prapa mos vërejti kush. Tërbimi në formë shtrëngate zhbëhej e ribëhej në ujëra të zeza, për të vërshuar rrugët, mbuluar pisllëqet e përhapur erë.

I hyri përmes nënkalimit që ishte mbushur si pishinë. Ndjeu ujin e ftohtë që i mbuloi kyçet e këmbëve. S’e vrau mendjen. Ishte në disponim të çuditshëm. Si një lëmsh i madh me dy këmbë, që nuk i ngriten nervat as kur një veturë që nuk e dalloi çfarë ishte kaloi shpejt dhe ia përplasi trupit e fytyrës atë ujin e pistë të rrugës. Mëngën e lagur që fërshëllente nga era e kaloi nëpër fytyrë, por ngasësin nuk e shau, ishte jashtë natyrës së tij. Se mos kishte ndonjë faj ai që pusetat që gurgullonin si fontana s’e përballonin dot gjithë atë shi. Se mos pusetat ishin hall për dikë në këtë vend.

Qull, baltë e i mbushur frymë nuk e ndali hovin që të hynte ndër të parët brenda autobusit. Ata më të zotët kishin shenjuar ulëset në krye me ndonjë xhaketë, çantë apo gazetë dhe veç ato në fundin e asaj karakatine ishin të lira. U rehatua atje. Përnjëherë një burrë rreth të pesëdhjetave, duke marrë thua në qeset e bëra pirg në mes, nisi t’i kërkonte paratë e t’i shpërndante biletat, sikur të kishte frikën se mos dikush do t’i përvidhej pa paguar. Kishte tipare hetuesi me atë shikim të vëngër që e lëshonte shpejt gjithandej. Në një botë ideale mund t’i kishte prirë fati të punonte së paku si truprojë. Do të ishte ndier i lumtur, mbase, duke ecur hijerëndë në përcjellje të shefave. Do të mund ta ushtronte atë shikimin e shpejtë dyshues nëpër turma… ose jo. Me gjithë atë talent, do të sëkëlldisej duke kërkuar më shumë.

– Biletën djalo, me ty po flas… ia ndërpreu fillin e mendi­meve ai, por edhe lëvizjen e gishtave brenda xhepit. Po i prekte me butin e gishtave paratë e imëta sa për ta vërtetuar edhe një herë se nuk i kishte humbur asnjë. As më pak, as më shumë, fiks i kishte ato të shkretat që s’fitoheshin lehtë. Ishte zor të gjendej çfarëdolloj pune ato ditë… I kishte marrë borxh 15 marka nga Sabiti, dyqanxhiu i fshatit, dhjetë për ta regjistruar foshnjën e sapolindur në komunë, aq sa ishte taksa, dy marka për vajtje-ardhje me autobus dhe tri për një cucëll për foshnjën.

U shkund si i trandur. Donte t’i largonte ato mendimet tek e liroi xhepin prej të imtave të fundit.

– Pse nuk e shtrove një gazetë a diçka përfundi se na i prishe karrikat?, u ngrit zëri i atij që sillej si pronar i gjithë kompanisë së trafikut urban e ndërurban.

– S’kam kurgjë me vete, edhe jaknen e kam qull prej shiu, nisi të shfajësohej N. N. duke shikuar me bisht të syrit këpucët plot baltë.

– Ani ato kpucë, bile, ke mundë me i pastru pak para se me hy, apo mos do me pagu biletë edhe për ato 10 killa lloq që na i paske pru brenda, vazhdoi duke i palosur paratë e hekurta në një kuti plastike biletashitësi.

N. N. nuk foli. Ishte mësuar ta luante veshshurdhrin. Ktheu kokën kah dritarja. Edhe pse nuk ishte shumë më ngrohtë se jashtë, xhami brenda kishte avulluar. Si nëpër mjegull, kalonte peizazhi. Kishte bërë disa herë në këmbë atë rrugë kur ishte më i ri. S’ ndiente. Ndërsa tash? Përnjëherë e kapi një e dridhur. I kishte hyrë uji në palcë dhe shputat i pllaquritnin. E mendoi njëherë që t’i zbathte këpucët, se mos ngrohej përde­risa të vazhdonte udhëtimi, por sakaq ndërroi mendje. Ishte mësuar me atë shkllap-shkllupin e këmbëve të lagura. Të mos ftohej veç, se s’durohej shtrati.

Qielli nisi të hapej dhe, si për çudi, sapo i kaluan dy-tri fshatrat e para në të dalë të Prishtinës, edhe shiu u ndal. Fushat në të dyja anët ishin gjallëruar pak pas dimrit. Një e gjelbër e lehtë e mugullimit shihej gjithandej.

– Megjithatë, e bukur është jeta – mendoi, duke e shtrënguar fort cucllën e foshnjës së vockël në xhep. Ose së paku, do të bëhet e bukur…

Bleja aman edhe një cucëll Zanës, e kishte lutur nusja, Xhejlanja. I kishin ardhur në fyt akuzat se nuk mund ta ngopte me qumësht. Ashtu thoshin së paku gratë e mëhallës, duke ia mbajtur hallin foshnjës që, sipas tyre, s’po shtonte peshë. Për iso ishte vjehrra. Herë me fjalë e herë me çehre. Skuqej dhe e shikonte shtrembër nusen sa herë merrte pozi­cionin e gjidhënëses. E ke tamlin e dobtë, i thoshte, e mbyte bebën. Veç po thith badihava se send s’po i qet… t’u ka tha gjini, shkonte duke e ngritur zërin. Dhe sa herë vinin këso lloj fjalësh nga mëhalla, në drejtim të nuses, ishte ajo që gjente zgjidhje. Duhet me ja nisë me marrë tamël lope prej Xhemës, fort tamlin e mirë e ka ajo lopë. Sabilja tre fmi i ka rritë me të, veç qysh janë ata fmi sot! I madhi i ka katër vjet, ama sa nana e vet o ba…

Çdo ditë të lume përsëritej ky muhabet.

Në pllajën e hapur sipër qytetit autobusi u ndesh në pritën e disa veturave të policisë që kohën e fundit ishin shpeshtuar dhe po qe se ndesheshe në to, duhej ditur se as zogu nuk do të shpëtonte pa u ndaluar e legjitimuar rrënjësisht. Edhe pse mund të ketë ecur me 40-50 kilometra në orë, prapë shenja “Stop” në dorën e njërit prej policëve bëri që ndalja e përnjë­hershme t’i shkundte ata brenda.

– Ima li nešto za nas?[1], pyeti nga jashtë një nga policët shoferin që kishte hapur derën përnjëherë.

– Jo, send t’Zotit, përveç këtyre udhëtarëve, u përgjigj shpejt shoferi.

– Imate li nekog pripadnika takozvane UČK… oružja… marki, deviza, cigareta… alkohola, nešto švercovano? [2], të gjithë policët pyesnin përnjëherësh ndërsa shoferi përsëriste për secilën pyetje nga një “Jo” të trembur.

– A da li putnici imaju nešto?[3]

– Me dijeni teme jo, por s’muj me garantu, nisi të dyshojë edhe vetë shoferi.

– Ako pronađemo nešto mrtav si[4], u dëgjua zëri nga jashtë, ndërsa dy policë hynë brenda autobusit.

– Ajde sada lične karte na pregled i pokažite sve šta imate kod sebe[5], bërtiti njëri që e kishte kokën e qethur në zero.
Udhëtarët nuk pipëtinin. Frika ndihej në ajër. Dëgjoheshin veç zhurmat e lehta e të kujdesshme të gjërave të imëta që nxirreshin nga xhepat. Dikujt i morën para, dikujt orën e dorës, dikujt syze e njërit një torbë për t’i mbledhur të gjithë këto.

– Samo cuclu? Ne mrči muda sa mnom, kurvin sine, istresi džepove![6], i ulëriu qeli N.N-së.

Udhëtarët përanash nuk shikonin. Ishin strukur… Sytë poshtë, në drejtim të gjunjëve, duarve apo këpucëve. Sikur të ishin ngrirë. Gurëzuar. Si statuja.

– S’kam asgjë tjetër me vete, psherëtiu N.N.

– Jeb’o vam majku šiptarsku, jeb’o vam porodicu, rod, znate samo da se prcate k’o zečevi i da se nakotite ko pacovi… gadovi bre…Uzmi ovu cuclu i stavi je u usta, dok ti ga nisam nabio u dupe. Sisaj je![7]

N.N. shikoi udhëtarët. Ta thithte cucllën? E zezë dita, edhe kjo m’gjeti, mendoi, dhe pa një pa dy e vuri në gojë. Nisi edhe ta thithë. T’shpëtoj prej tyre, e kjo harrohet… O zot, le t’përfundoj sa më parë!

Qeli nisi të hingirisej, ndërsa N.N. instinktivisht u ndal.

– Nastavi bre magarče. Gorane, vidi ti njega, ne zna ni da sisa. Bre majku im šiptarsku…Ajde siđi napolje[8]…e kapi për xhakete N. N-në duke e përplasur kah dera e autobusit, ndërsa shoferit ia tërhoqi vërejtjen që herë të tjera të bëhej më mikpritës.

Jashtë prisnin edhe katër policë të tjerë që ia kishin shtruar birrave përreth njërës prej veturave. Tymi i cigares u shkonte fjollë.

– Nemoj da vadiš cuclu, pseto jedno bre[9]. N.N. e hëngër një shkelm bythëve përcjell me gajasjen e policëve që nisën sehirin. S’e kishin me ngut.

– Sisaj[10], bërtiti qeli, të cilit i kishin qëlluar korda të fuqishme zëri. N.N. po e thithte cucllën duke mos ditur nëse e kishte ritmin e duhur, ndërkohë që policët po mbanin barkun. Shkriheshin. Shqyheshin gazit.

Sa mund të ishte ora vallë? Në komunë kishte mbërritur pak para se të bëhej16:00. Sportelistja flokëkuqe e kishte pritur me një shikim të vëngër e mospërfillës duke mërmëritur se punën me palë as që i shkonte mendja ta vazhdonte më për atë ditë, por një mërgimtar që ishte në radhë pas tij e që, po ashtu, donte ta regjistronte foshnjën, ia zgjati një 20 markësh për t’u kryer punë të dyve. Monedha në mesin e dokumenteve hapi qelqin e sportelit dhe zgjoi mëshirën që të porsalindurat të mos mbeteshin pa emër. Zana, sa emër të bukur kishte zgje­dhur. Zanë mali të bëhej…

– Sisaj budalo, šta si tako smotan, bre majku ti šiptarsku, gadan ste rod bre[11]… dhe kërciti boshti i automatikut në kokë. E koka u përplas në tokë.

Lopa e Xhemës e paska tamlin ma t’mirë se timin. E ushqejmë me të, bre. Nashta po rahatohet kjo nana jote, i kishte thënë Xhejlanja kur po nisej për në Prishtinë. Nashta po i shton pesë kg për një muaj, e u mshilet goja edhe këtyne shoqeve të nanës tande. Gjithë këtë zullum po ma bajnë. Bleje atë cucëll, aman… i ishte lutur disa herë ajo.

– Sisaj cuclu bre![12]

Diçka i lëvizi në gjak… por nuk i jepej të reagonte. Ishte i urtë, i butë, i turpshëm, heshtak. Kurrë s’e kishte bezdisur askënd. Po t’marrin për budallë, mendjefyll, i thoshte shpesh Xhejlanja kur, sipas saj, duhej të kundërshtonte në diçka. Lëri, për vete e kanë, ia kthente ky. Nuk prekej asnjëherë në sedër.

– O govno jedno. Ti nemaš mozak. Ti ne znaš ni da sisaš? Je li bre, zajebavaš li se ti sa nama? U redu… može, al’ više nećeš moći![13], u hakërrua një nga policët.

U kthye në krah, duke u sprapsur anash dhe pa se asfalti ishte përgjakur nga goditja. Pa edhe policët mbi kokë, që të gjithë rreth tij dhe u mundua të kthehej sërish barkas. Ta hajë dreqi edhe këtë cucëll!

– O govno šiptarsko!

– Mani se ove stoke!

– Sad će on da vidi, pokazaću ja njemu!

– Ostavi ga, ne traći vreme sa njim![14]

U dëgjua një krismë…

Sytë iu terruan. Zjarrmi e tmerrshme në gjoks…

Tash do të duhej të ishte udhës së fshatit, duke ecur shtegut drejt shtëpisë. Dera do të hapej e ajo do ta priste e qeshur. A e bleve cucllën do ta pyeste gjithë gëzim…

– Zašto si ga upucao …

– Jedno govno manje, pička mu materina![15]

Shkelmi i njërit e rrotulloi dhe dielli nga lart ia vrau sytë. Gulçoi. Provoi ta ngrehte dorën, por s’iu bind. Dridhej… Deshi të përgjërohej për mëshirë. Buzët s’i lëviznin. As gjuha. Zëri s’i dilte. Asnjë tingull… Koka i ishte rënduar. Zemra donte t’i dilte vendit… Ca silueta të mjegulluara mbi kokë… Humbi edhe ajo pika e bardhë e diellit… Zi… Mirazh… Dihatje… ohhhh!

(Marrë nga numri i 13-të i revistës “Akademia”)

 

[1] A ke diçka për ne?

[2] A keni ndonjë ushtar të asaj far’ UÇK-je… armë… marka, deviza, cigare … alkool, ndojsend kontrabandë?

[3] E udhëtarët mos kanë ndojsend?

[4] Nëse gjejmë diçka je i vdekur.

[5] Hajde letënjoftimat dhe tregoni krejt çka keni me vete.

[6] Veç një cucëll? Mos luj koqe me mua, mor bir kurve, shkundi xhepat!

[7] Jau qifsha nanat shqiptare, jau qifsha familjen, rodin, që veç me u qi si lepuj dini e me u shtu si minj… bre flliqsina… Kape këtë cucëll e shtine n’gojë sa s’ta kam shti n’byth. Thithe!

[8] Vazhdo more magar. Goran, shihe bre as me thithë s’di. Bre nanën e shqiptarëve… Hajde dil jashtë…

[9] Moos e hiq cucllën, bre qen bir qeni!

[10] Thithe!

[11] O llud ,thithe, qa po trullavesh, bre nanën e shqiptarit, bre pjella e flliqtë!

[12] Thithe more cucllën!

[13] O mut! Ti s’paske tru. Ti a s’di me thithë a? Ti po ban hajgare me neve a? Ani… ban, po s’ke me ba ma!

[14] – O mut shqiptari!

– Leje bre këtë hajvan!

– Tash e merr vesh ky, tash i kallxoj këtij!

– Le bre mos humb kohë me të!

[15] Pse bre e gjujte…

– Një mut ma pak, se po t’ja qijë atë nanë n’pidhë!

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
JOHN STEINBECK Ligjërata e nobelistit të letërsisë, 10 dhjetor 1962…