Cutrone: Ky virus është i poshtër
Patrick Cutrone e ka mposhtur Coronavirusin dhe tashmë është më mirë. Te Fiorentina ishin prekur disa lojtarë dhe ata janë mirë.
Ish-futbollisti i Milan tregon atë që i ndodhi dhe nuk e fsheh se u tremb. Gjithsesi testi i dytë e bëri të çlirohej.
“Fatmirësisht jam mirë, më e keqja ka kaluar. Nuk mund të mos e them se u tremba. Ky është një virus i poshtër, për të cilin nuk ka shumë informacion. U lehtësova kur dola negativ më pas. Vetëm atëherë u çlirova”, tregon Cutrone në intervistën e dhënë për Tuttosport.
Më pas sulmuesi zbulon edhe një vendim që e ka marrë gjatë kësaj periudhe. “Do t’ia dedikoj golat e mi të gjithë atyre që po përballen me këtë betejë të vështirë: mjekët, infermierët dhe vullnetarët. Ata janë heronjtë e vërtetë këtë periudhë”, shton sulmuesi i skuadrës “Vjollcë”.
Në lidhje me rikthimin e kampionatit, Cutrone shprehet: “Tani kam nisur të përgatitem, sigurisht në masën e duhur dhe duke marrë parasysh situatën që po kalojmë. Le të mendojmë për shëndetin fillimin. Të gjithë mëzi po presim të rikthehemi në fushë, por duhet të jenë kushtet e duhura për ta bërë diçka të tillë”.
Sulmuesi nuk i shmanget as diskutimit të pagave dhe normalisht ai është dakord për uljen e pagave, sigurisht përmes një marrëveshjeje të përbashkët me klubin.
“Ne do të gjejmë një marrëveshje për uljen e pagave, një marrëveshje që t’u shkojë për shat të gjithëve”, përfundon Cutrone.