Dabiqaj: Ndaj Ballkanit kemi mundur të marrim rezultat më të favorshëm

11 qershor 2020 | 11:40

Albert Dabiqaj ka thënë për “Epokën e re” se Feronikeli ka mundur të marrë rezultat më të mirë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës ndaj Ballkanit (0-0).

Skuadra e Feronikelit ka nisur mirë pas pushimit të detyruar për shkak të pandemisë Covid-19, pasi në dy ndeshjet e zhvilluara ka regjistruar një barazim dhe një fitore. Skuadra që drejtohet nga Afrim Tovërlani barazoi me Ballkanin në gjysmëfinalen e parë të Digitalb Kupës (0-0) dhe e ka mundësinë që të kualifikohet në finale për faktin se në ndeshjen kthyese luan në Drenas, kurse në ndeshjen për kampionat e mposhti Vushtrrinë (3-1).

Mesfushori Albert Dabiqaj ka thënë të mërkurën për “Epokën e re” se “Nikli” ka startuar mirë ani pse në ndeshjen kundër Ballkanit ka mundur të marrë rezultat edhe më pozitiv. “Normalisht se jemi të kënaqur me dy ndeshjet e para. Kemi pasur paraqitje të mirë dhe kemi mundur të marrim rezultat më të favorshëm ndaj Ballkanit, por ndeshjen kthyese luajmë në fushën tonë dhe kemi gjasa të mëdha që të kualifikohem tutje në garën e Kupës”, ka thënë Dabiqaj.

Ndeshjen e radhës skuadra e Feronikelit e zhvillon nesër (e premte) ndaj Dukagjinit.

Mesfushori Dabiqaj ka konfirmuar se në Klinë kërkojnë tri pikët e plota. “Kundërshtari i radhës është në pozitën e fundit, por ka një skuadër të mirë. Ne shkojmë për fitore dhe besoj se do t’ia arrijmë këtij qëllimi”, ka shtuar ai.

Skuadra kampione në fuqi e Kosovës në këtë edicion ka mbetur pas në garën për titull, pasi aktualisht ka nëntë pikë më pak se skuadra kryesuese, Drita e Gjilanit. Lidhur me mbrojtjen e titullit të kampionit, Dabiqaj ka deklaruar: “Kemi mbetur shumë pikë mbas, por të shohim çka mund të bëjmë”. “Nikli” është në pozitën e pestë me 347 pikë, por synim kryesor në këtë edicion e ka triumfin në garën e Kupës dhe pjesëmarrjen në garat parakualifikuese të Ligës së Evropës.

IPKO Superliga – Java e 24-t

Të premten takohen:
17:00 Dukagjini – Feronikeli
17.00 Flamurtari – Ballkani

Të shtunën takohen:
17:00 Vushtrria – Prishtina
17:00 Llapi – Drenica

Të dielën takohen:
17:00 Trepça ’89 – Drita
17:00 Ferizaj – Gjilani

(Veton ZYMBERI)  

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kliko këtu /PDF/ Konkurs për Mësimdhënëse