Daçiqi në Moskë: Po na thonë hiqni dorë nga Kosova dhe hyni në BE

02 qershor 2021 | 12:04

Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë të mërkurën në Moskë se Serbia dëshiron kompromis në dialogun me Kosovën.

Ai ka theksuar se fuqitë perëndimore janë duke i kërkuar Serbisë ta njohë Kosovën në mënyrë që t’i hapet rruga për të hyrë në Bashkim Evropian (BE), raporton “Tanjug”.

Daçiqi ka thënë se nuk pranojnë zgjidhje të imponuara dhe të njëanshme, duke shtuar se nuk mund të pritet që Serbia ta njohë Kosovën.

“Ata na thonë hiqni dorë nga ‘Kosova dhe Metohija’ dhe rruga për në BE është e hapur për ju. Kjo nuk është ajo që partnerët i thonë njëri-tjetrit. Ne duam të hyjmë në BE, po punojmë shumë për këtë dhe nuk e ndryshojmë atë qëllimi, por ne nuk e pranojmë atë. Pengesat që do të vihen para nesh që nuk janë vendosur kurrë para askujt, dhe as nuk mund të pritet një gjë e tillë si njohja e shkëputjes së paligjshme nga ndonjë shtet sovran”, ka thënë Daçiqi.

Ai ka theksuar se Rusia është mbrojtësja më e madhe e interesit kombëtar serb.

“Rusia, ashtu si Serbia, është plotësisht e mendimit se ‘Kosova dhe Metohija’ është një pjesë e patjetërsueshme e Serbisë, dhe kjo ka qenë një nga shtyllat tona më të rëndësishme politike në luftën për interesat tona në skenën ndërkombëtare për dekada”, ka thënë Daçiqi.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj…