Daka i reagon Bislimit: Deklaratat e ministrit janë ofenduese për KQZ-në

20 shkurt 2020 | 16:28

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka adresuar kritika të ashpra ndaj ministrit të Financave, Besnik Bislimi i cili dje në mbledhjen e Qeverisë e ka quajtur skandaloze kërkesën e KQZ-së për ndarjen e buxhetit në vlerë prej 116 mijë euro për paga dhe mëditje të komisionerëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Podujevës.

Daka deklaratat e Bislimit janë ofenduese për KQZ-në. “Deklaratat e ministrit të Financave, Besnik Bislimi kanë qenë ofenduese për mua si gjyqtare e Gjykatës Supreme, por edhe për anëtarët e tjerë të KQZ-së dhe stafin të cilët kanë punuar jo vetëm për këto zgjedhje por që nga pavarësia për më tepër se 30 palë zgjedhje që i kanë organizuar që janë marrë shembull”, ka thënë ajo gjatë mbledhjes se KQZ-së.

Ajo ka thënë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në Podujevë kërkojnë edhe angazhim të jashtëzakonshëm.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme kërkojnë angazhim të jashtëzakonshëm pa marrë parasysh a organizohen për një komunë apo për gjithë Republikën e Kosovës sepse operacionet zgjedhore nuk janë më të vogla për një komunë, por janë të njëjta. Angazhimi i punëtorëve dhe stafit është i jashtëzakonshëm dhe kërkon angazhim edhe jashtë orarit të punës. Sipas Ligjit për shërbyesit civilë dhe i Ligjit për punë i garantohet të gjithë punëtorëve që çdo angazhim jashtë orarit duhet të paguhen. Nuk ka asnjë shtet në botë që nuk i paguan punëtorët jashtë orarit të punës. Nuk është në rregull që të ofendohemi për diçka që kemi punuar dhe punojmë edhe ditëve të vikendit së bashku me të gjithë stafin”, ka thënë Daka, duke shtuar se deklaratat e e Bislimit se KQZ-ja është duke e zhvatur buxhetin e shtetit nuk i kanë hije një zyrtari shtetëror.

“Deklarata e tillë ofenduese e ministrit ku ne si KQZ krahasohemi me zhvatës dhe kriminelë të cilët e zhvatin buxhetin e Kosovës nuk është në rregull dhe një komunikim me një institucion të pavarur kushtetues i cili organizon zgjedhjet në Kosovë nuk i ka hije një zyrtari të lartë shtetëror”, ka thënë Daka.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja Vlora Dumoshi ka pritur në takim drejtuesit e Federatës…