Dalin pagesat për mësimdhënësit e viteve të ‘90
Mësimdhënësit të cilët kanë punuar gjatë periudhës së viteve 1990-1999, në kuadër të procesit të njohur si sistemi paralel i arsimit në Kosovë, gjatë së martës do të marrin kompensimin ligjor.
Lulzim Rafuna, këshilltar i ministrit në detyrë të Financave, ka konfirmuar për “Ekonomia Online” se ekzekutimi i pagesave për mësimdhënësit e viteve të 90-ta do të bëhet bashkë edhe me pensionet e tjera.
Ai ka sqaruar se ata do të paguhen në mënyrë retroaktive nga prilli.
“Ekzekutimi i pagesës për pagesat e arsimtarëve të viteve të ’90 do të bëhet sot, së bashku me pensionet tjera. Sot do të ekzekutohen nga ana e thesarit dhe ato do të ekzekutohen sipas raporteve apo listave të cilat janë sjellë nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, ne do t’i ekzekutojmë jo vetëm për muajin dhjetor mirëpo do të ekzekutohen në mënyrë retroaktive ashtu siç e parasheh ligji edhe që nga muaji prill”, ka thënë ai.
Sipas tij, këto pagesa nuk lidhet vetëm me Ligjin e pagave i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese për arsye se janë rregulla të veçanta.
“Sa i përket shumë që do të marrin është e përcaktuar në ligjin i cili ka kaluar dhe i cili ka kaluar dhe që e parasheh dhënien e kësaj pagese, për arsimtarët e viteve të ’90-ta dhe varësisht prej përqindjes së viteve që kanë kaluar, varësisht prej përqindjes që parashihet me ligj ashtu edhe do të paguhen”.
“Për çdo kategori është e specifikuar veç e veç dhe nuk lidhet vetëm me ligjin e Pagave i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese për arsye se janë rregulla të veçanta të cilat parashihen në ligjin e tyre i cili ka kaluar dhe në bazë të të cilit ata do t’i marrin qysh nga dita e sotme”, ka thënë Rafuna.