Dalin pamjet dhe mësohet se çfarë i tha Vini Jr bankës së Realit pas fishkëllimave nga tifozët
Real Madridi e mposhti Sevillan me rezultatin 2-0 në “Santiago Bernabeu” të shtunën, në kuadër të javës së 18-të të La Ligës.
Megjithatë, vëmendja pas ndeshjes nuk u përqendrua te rezultati, por te situata e tensionuar mes Vinicius Junior dhe tifozëve vendas.
Sipas mediave spanjolle, një pjesë e tifozëve të Real Madridit janë të pakënaqur me sjelljen e brazilianit gjatë periudhës së fundit të krizës së skuadrës, kur klubi humbi kryesimin në La Liga dhe pati rezultate zhgënjyese në Ligën e Kampionëve.
Në atë periudhë, Vinicius thuhet se ishte një nga figurat kryesore që kundërshtoi trajnerin Xabi Alonso.
Pakënaqësia e tifozëve u shfaq qartë në ndeshjen kundër Sevillas. Vinicius u fishkëllye që nga minutat e para dhe reagimet negative vazhduan deri në minutën e 83-të, kur ai u zëvendësua nga Gonzalo Garcia.
Pamjet televizive kapën gjithashtu reagimin e Viniciusit gjatë largimit nga fusha, ndërsa më pas u raportua se ai kishte reaguar edhe ndaj fishkëllimave gjatë ndeshjes. Sipas leximit të buzëve, braziliani iu drejtua stolit duke thënë:
“Çfarë duhet të bëj? Ky është aksioni i parë i ndeshjes… Dreq ta marrë”, iu drejtua Vini bankës rezervë.
Pavarësisht polemikave aktuale, Vinicius Junior mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të Real Madridit në vitet e fundit.
25-vjeçari ka zhvilluar 346 ndeshje me fanellën madrilene gjatë shtatë sezoneve, duke shënuar 111 gola dhe dhënë 91 asistime. Ai ka fituar dy Liga të Kampionëve dhe tre tituj të La Ligës, ndër trofetë më të rëndësishëm të karrierës së tij. /Telegrafi




