
Dalin pamjet e aksidentit tragjik, ku humbi jetën ylli i Liverpoolit, Diogo Jota, së bashku me të vëllain e tij
Mediat spanjole kanë publikuar pamjet nga vendi ku ndodhi aksidenti tragjik, që i mori jetën yllit të Liverpool-it, Diogo Jota së bashku me villain e tij Andre Silva, pasi Lamborghini i tij doli nga rruga në veri të Spanjës.
Sipas raportimeve paraprake, dyshohet se një nga gomat e Lamborghinit ka shpërthyer gjatë një parakalimi në autostradën A-52 pranë qytetit Cernadilla, afër Zamorës, në veriperëndim të Spanjës, pranë kufirit me Portugalinë.
Makina superluksoze doli nga rruga, u përmbys dhe shpërtheu në flakë pak pas orës 00:30 të mëngjesit të së enjtes. Shërbimet e emergjencës u thirrën menjëherë, por nuk arritën të shpëtonin dy vëllezërit.
Pamje tronditëse tregojnë mbetjet e djegura të supermakinës, e përmbysur në anë të rrugës kryesore, ndërsa ekipet e emergjencës shihen duke hetuar në vendngjarje.
Një video e siguruar nga mediat spanjole tregon trajektoren e makinës deri në momentin që ajo del nga rruga dhe përplaset duke shpërthyer në flakë. Gjurmët e gomave tregojnë vendin ku Lamborghini doli nga rruga, ndërsa copa të barrierës qendrore janë të shpërndara në tokë.