
Dalja në tregun e lirë të energjisë, nënkryetarja e LDK-së: Nga sot fillon falimentimi i prodhuesve vendorë
Nënkryetarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku-Sadriu e sheh të errët perspektivën ekonomike të vendit referuar prodhuesve vendorë, të cilët nga sot dalin në të ashtuquajturin treg të lirë të energjisë elektrike.
Ajo ka thënë se treg ka vetëm një ofertues, me çmim tre fish më të lartë dhe kësisoji çmimet e energjisë tejkalojnë vendet e zhvilluara.
Lushaku-Sadriu ka shkruar në “Facebook” se parasheh që “nga sot” nis falimentimi i prodhuesve vendorë dhe shembja e ekonomisë së vendit “edhe ashtu e rënduar”.
Postimi i plotë:
BLEJE TËNDEN DIKUR – E SOT, GODITE TËNDEN!
A ju kujtohet kur LV-ja bënte thirrje për prodhime vendore me moton: “Bleje tënden”? Gjojase, përkrahje për prodhuesit tanë!
E prej sot, me bekimin e Kurtit dhe qeverisë në ikje, hyn në fuqi shtrenjtimi i energjisë elektrike për prodhuesit vendor.
Kjo është një goditje e drejtpërdrejtë ndaj ekonomisë vendore, që prek çdo produkt që blejmë, çdo tryezë familjare, çdo xhep të qytetarëve.
Nga sot nis rritja e çmimeve për çdo gjë që prodhohet në Kosovë.
Nga sot fillon falimentimi i ngadaltë i prodhuesve tanë.
Nga sot nis shembja e ekonomisë sonë, edhe ashtu të rënduar.
Nga sot rritet barra mbi supet e qytetarëve që mezi po e lidhin muajin me muaj.
Kjo nuk është ndihmë për prodhimin vendor; ky është sabotim!
Kjo nuk është zhvillim; kjo është tradhti ndaj ekonomisë tënde.
Sepse kur godet prodhuesin tënd, godet qytetarin tënd.
Godet vetë shtetin!