Damati: Pres aktgjykim lirues për ish-krerët e UÇK-së

23 mars 2026 | 08:46

Avokati Musa Damati pret aktgjykim lirues ndaj katërshes së UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit të cilët po mbahen në paraburgim në Hagë.

Damati, në një intervistë për Ekonomia Online ka deklaruar se në raste voluminoze dhe procese maratonike, siç është procesi gjyqësor në Hagë, trupat gjykues zakonisht kanë nevojë për më shumë kohë për shqyrtimin e plotë dhe të detajuar të lëndëve, transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, kompleksiteti i dosjeve dhe vëllimi i madh i materialeve gjyqësore ndikojnë drejtpërdrejt në kohëzgjatjen e shpalljes së aktgjykimit. Megjithatë, Damati shprehet optimist për rezultatin final.

“Unë si avokat pres që të shpallet një aktgjykim lirues për të gjithë ata që janë ballafaquar tash e sa vite, që nga tetori i vitit 2020, me drejtësinë ndërkombëtare në Hagë”, ka deklaruar ai.

Damati shtoi se nuk ekziston një afat strikt për shpalljen e vendimit, pasi ky afat varion dhe varet nga efikasiteti dhe axhornimi i trupit gjykues.

Ai ka sqaruar se vendimi i gjykatës përbën vendim përfundimtar vetëm në shkallën e parë të shqyrtimit.

“Çdo vendim i shkallës së parë ka të drejtë ligjore ankese. Pavarësisht se cili do të jetë vendimi, i njëjti pa dyshim do të apelohet në shkallët më të larta të drejtësisë ndërkombëtare”, ka theksuar Damati.

Sipas tij, e drejta e apelimit është pjesë përbërëse e procesit gjyqësor dhe garanton shqyrtim të plotë dhe të drejtë të çështjeve në instancat më të larta.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.

Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në vitin 1935, Persia u bë zyrtarisht Iran, duke shënuar…