Danimarka i ndalon fluturimet e të gjithë dronëve civilë para samitit evropian

29 shtator 2025 | 08:35

Danimarka i ka ndaluar fluturimet e të gjithë dronëve civilë këtë javë para një samiti të Bashkimit Evropian që do të mbahet në Kopenhagë, tha të dielën ministri i Transportit.

Ministria e Transportit tha se vendimi u mor me qëllim që të “thjeshtësohet puna e sigurisë” për policinë dhe se ata nuk mund të pranonin “dronë të huaj që krijojnë pasiguri dhe pengesa”, raporton televizioni BBC.

Danimarka është njëra nga disa prej shteteve të Bashkimit Evropian që kanë raportuar “incidente me dronë” në javët e fundit. Javën e kaluar u panë dronë mbi qendra ushtarake daneze.

Ministrat e Mbrojtjes nga dhjetë shtete të Bashkimit Evropian janë pajtuar që të ndërtojnë një “mur dronësh” si kundërpërgjigje ndaj rasteve ku janë parë dronë duke fluturuar. NATO-ja thotë se e ka “fuqizuar vigjilencën” në mbarë rajonin e Baltikut.

Në deklaratën ku u njoftua ndalimi i fluturimeve të dronëve civilë, Ministria e Transportit e Danimarkës tha se policia është “në gjendje vigjilence të shtuar në masë domethënëse” para samitit të kësaj jave dhe se policia duhet të “përkujdeset për danezët dhe për mysafirët tanë”.

Vendimi do të mbetet në fuqi deri më 3 tetor dhe shkelja e tij mund të rezultojë me gjobë ose burgim deri në dy vjet.

Danimarka aktualisht e mban presidencën e përkohshme të Bashkimit Evropian.

Dronë të paidentifikuar janë raportuar në Danimarkë nga 22 shtatori, kur disa raste i detyruan autoritetet që t’i mbyllnin aeroportet e Kopenhagës dhe Oslos.

Hetuesit danezë ende nuk kanë qenë në gjendje që t’i identifikojnë personat përgjegjës për këto fluturime dronësh, por ministri i Mbrojtjes e ka quajtur këtë “sulm hibrid” që ishte pjesë e një “operacioni sistematik”.

Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, tha se autoritetet ishin duke zhvilluar hetime ende për të marrë vesh se kush qëndron prapa dronëve dhe refuzoi që ta përjashtonte Rusinë.

Sidoqoftë, Moska e ka “kundërshtuar fuqishëm” çfarëdo sugjerimi se ka qenë e përfshirë në incidentet në Danimarkë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nga: Ferid Hudhri / ExLibris 1. Tablotë kushtuar qëndresës arbërore,…