‘Danimarka nuk ka asnjë dokument për Groenlandën, thjesht një anije zbarkoi aty’, Trump: Edhe anijet tona ishin atje!
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka dërguar një letër (e plotë më poshtë) kryeministrit norvegjez Jonas Gahr Støre, në të cilën trajton disa çështje që lidhen me Çmimin Nobel për Paqen, rolin e NATO-s dhe statusin e Groenlandës.
Në letrën zyrtare nga Shtëpia e Bardhë, Trump shprehet se, duke qenë se Norvegjia nuk i ka dhënë Çmimin Nobel për Paqen për ndalimin e, sipas tij, “tetë luftërave ose më shumë”, ai nuk ndien më detyrimin të përqendrohet vetëm te paqja, ndonëse thekson se ajo do të mbetet gjithmonë parësore. Sipas tij, kjo situatë i jep hapësirë të mendojë edhe për atë që e konsideron të drejtë për interesat e Shteteve të Bashkuara.
Në vijim, Trump ngre pikëpyetje mbi aftësinë e Danimarkës për të mbrojtur Groenlandën nga kërcënime të mundshme nga Rusia apo Kina, duke vënë në dyshim edhe bazën historike dhe ligjore të të drejtës së pronësisë mbi territorin. Ai argumenton se nuk ka dokumente të shkruara që e vërtetojnë këtë të drejtë, duke përmendur se edhe Shtetet e Bashkuara kanë pasur prani historike në atë zonë.
Në letër përmendet edhe NATO, për të cilën Trump deklaron se ka kontribuar më shumë se çdo individ tjetër që nga themelimi i aleancës dhe se, sipas tij, NATO duhet të ndërmarrë veprime në interes të SHBA-së.
Letra përfundon me deklaratën se siguria globale, sipas Trump, varet nga kontrolli i plotë i Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara.
Deri tani, nuk ka reagime zyrtare nga qeveria norvegjeze apo nga vendet e tjera të përmendura në letër.
Përkthimi në shqip i tekstit në dokument:
Shtëpia e Bardhë
Uashington, D.C. 20500
I dashur Jonas,
Duke qenë se vendi juaj vendosi të mos më japë Çmimin Nobel për Paqen për faktin se kam ndalur 8 luftëra e më shumë, unë nuk ndiej më detyrimin të mendoj vetëm për Paqen, edhe pse ajo do të mbetet gjithmonë parësore, por tani mund të mendoj edhe për atë që është e mirë dhe e drejtë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Danimarka nuk mund ta mbrojë atë territor nga Rusia ose Kina, dhe përse vallë ka ajo një “të drejtë pronësie”? Në fund të fundit, nuk ka dokumente të shkruara; thjesht një anije ka zbarkuar aty qindra vite më parë, por edhe ne kemi pasur anije që kanë zbarkuar atje.
‘Danimarka nuk ka asnjë dokument për Groenlandën, thjesht një anije zbarkoi aty’, letra e Trump: Edhe anijet tona ishin atje!
Kam bërë më shumë për NATO-n se çdo person tjetër që nga themelimi i saj dhe tani NATO duhet të bëjë diçka për Shtetet e Bashkuara.
Bota nuk është e sigurt nëse nuk kemi Kontroll të Plotë dhe Total mbi Groenlandën.
Faleminderit!
Presidenti DJT



