
‘Dardanët’ me thirrje të fuqishme për Leon Avdullahun: Hajde te Kosova, aty ku zemra rreh fortë
Leon Avdullahu, që kaloi te Hoffenheim këtë verë nga Basel, ka mbetur të vendos se kë do ta përfaqësojë, Kosovën apo Zvicrën, me Dardanët që i kanë bërë thirrje sot gjatë ditës.
Zvicra ditëve të fundit është futur fuqishëm në garë për ta bindur mesfushorin e ri t’i bashkohet përfaqësueses së tyre, ku ka luajtur në të gjitha grupmoshat.
Në këtë situatë, tifo-grupi i njohur “Dardanët” ka marrë iniciativën për të bërë një thirrje publike drejtuar lojtarit, duke e ftuar të zgjedhë Kosovën si kombëtare të tij.
“Leon, Kosova është vendi i gjyshit e babait tënd. Ti je shqiponja që gëzon kombin, sepse vetëm këtu nuk je i huaj. Nuk kemi bërë asnjëherë më parë një thirrje të tillë, por për ty po bëjmë përjashtim”.
“Leon do të thotë Luan, e luani është i fortë vetëm aty ku është i përfaqësuar me shpirt. Te Kosova nuk do të jesh asnjëherë i huaj, por gjithmonë i Dardanëve”.
“Mos harro, Leon: këtu vlen, këtu çmohesh, këtu do të të duan pa interes. Hajde me Luanët, aty ku zemra të rreh më fort”, shkruajnë “Dardanët”.