‘Dardanët’ U17 mposhten në miqësore nga Turqia

10 nëntor 2021 | 20:48

Përfaqësuesja e Kosovës U17 e ka zhvilluar ndeshjen e parë miqësore me Kombëtaren e Turqisë U18, në kuadër të përgatitjeve për Elite Round, në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2022.

“Dardanët” U17 pësuan humbje pavarësisht paraqitjes së mirë që patën, me rezultat 1:0. Të përzgjedhurit e Arsim Abazit nuk arritën të konkretizojnë rastet që kishin, veçmas në pjesën e dytë kur u liruan nga presioni dhe shfaqën lojë dukshëm më të mirë.

Megjithatë, mysafirët të cilët ishin një gjeneratë më e madhe, në periudhën kur “Dardanët” bënin përpjekje për të gjetur rrugën e golit, arritën të zhbllokojnë shifrat pas një korneri të shkurtër në minutën e 80-të, kur realizoi Yaşar Kavas. Pavarësisht këtij rezultati përzgjedhësi Arsim Abazi u shpreh i kënaqur me performancën e futbollistëve në fushë, ndërsa pohoi se këto ndeshje miqësore i ndihmojnë ekipit të tij për t’u përgatitur sa më të mirë për Elite Round në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Evropian 2022.

E futbollisti Armos Merlaku, pohoi se në këtë ndeshje u mungoi fati. Të premten Kosova U17 dhe Turqia U18 do të përballen sërish, në kompleksin e FFK-së në Hajvali.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Primoz Gliha ka debutuar me humbje në stolin e Përfaqësues…