Dardanët U21 kryejnë stërvitjen e fundit para përballjes me Spanjën

08 shtator 2025 | 22:31

Kombëtarja U21 e Kosovës e ka kryer sot pasdite seancën e fundit stërvitore para ndeshjes së vështirë kundër Spanjës. Ky takim zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, në orën 19:00 dhe i takon ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2027. Përkundër faktit se do të përballen me favoritin e grupit dhe njërën prej top-ekipeve të Evropës, atmosfera tek Dardanët U21 është tejet pozitive, e këtë e ka ndihmuar edhe barazimi pa gola në ndeshjen e parë si mysafirë ndaj Rumanisë. Ata kanë shpresa se me një angazhim maksimal do të mund ta befasojnë edhe një ekip gjigant siç është Spanja. Dardanët e rinj shpresojnë që nesër do ta kenë përkrahjen e madhe edhe nga tifozët, pasi hyrja në stadium do të jetë falas.

Deklaratat pas stërvitjes

Afrim Tovërlani: Ndeshje e vështirë, e dinë këtë edhe opinioni. Përballë kemi Spanjën, favorite të grupit dhe pjesëmarrëse e rregullt në Evropian dhe Botëror. Mirëpo, nuk jemi këtu për t’u dorëzuar. Do të japim maksimumin. Do të përgatitemi në mënyrën më të mirë për këtë ndeshje. E kemi parë videon e ndeshjes së Spanjës në humbjen ndaj Qipros dhe kemi bërë analizën e lojës dhe do të tentojmë që ta befasojmë edhe ne Spanjën.

Eliot Bujupi: E kemi luajtur një ndeshje shumë të mirë kundër Rumanisë dhe e kemi analizuar Spanjën shumë mirë. Të gjithë e dimë që Spanja ka një ekip shumë të mirë, por ne do të luftojmë deri në fund për rezultat pozitiv.

Laurent Seji: Besoj se kemi luajtur mirë kundër Rumanisë, ndërsa tani kemi përballë një kundërshtar shumë më të fortë siç është Spanja. Por shpresoj se do të luajmë edhe më mirë se sa kundër Rumanisë dhe besoj se do të marrim një rezultat pozitiv në fund.

Lendrit Shala: E kemi analizuar Spanjën, ia dimë pikat e forta dhe të dobëta. Por, i dimë op ashtu edhe pikat tona të forta e të dobëta, prandaj besoj se do të hyjmë në lojë me energji pozitive. Jemi lojtarë që njihemi po thuajse që një vit dhe jemi gati si ekip për të dalë bashkë dhe për të luftuar për tri pikë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Erogen Vaso, i plagosuri që dyshohet të ketë qenë shënjestra…