Dardanët U21 nisin përgatitjet në Larnaka për dy sfidat e nëntorit

12 nëntor 2025 | 11:46

Kombëtarja U21 e Kosovës ka nisur përgatitjet në Larnaka të Qipros për dy ndeshjet e rëndësishme kualifikuese për Kampionatin Evropian 2027, që do t’i zhvillojë si mysafirë ndaj Qipros dhe Finlandës.

Djelmoshat e drejtuar nga trajneri Afrim Tovërlani kanë zhvilluar sot seancën e parë stërvitore në stadiumin “Dasaki Achnas”, ku atmosfera brenda është tejet pozitive.

Përzgjedhësi Afrim Tovërlani theksoi se në këtë grumbullim ka tri prurje të reja dhe se dyert e kombëtares mbeten gjithmonë të hapura për lojtarë të rinj që e meritojnë ftesën me paraqitjet e tyre në fushë.

“Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Kemi disa lojtarë të rinj që janë bashkuar për herë të parë dhe janë integruar mirë në grup. Si gjithmonë, përzgjedhjet bëhen në bazë të meritave dhe performancës. Qipro është një kundërshtar cilësor, por ne kemi ardhur për rezultat pozitiv dhe do të japim maksimumin për ta arritur atë”, deklaroi Tovërlani.

Për Dren Zeqirin, ky është grumbullimi i parë me Kombëtaren U21. Ai u shpreh i lumtur për pritjen që i është bërë nga bashkëlojtarët dhe optimist për paraqitje të mirë.

“Jam shumë i lumtur që jam pjesë e këtij ekipi. Grupi më ka pritur ngrohtësisht dhe besoj se do të arrijmë një rezultat të mirë në këto ndeshje”, tha Zeqiri.

Ndërkaq, Eliot Bujupi theksoi rëndësinë e madhe që kanë ndeshjet kualifikuese për çdo futbollist të ri, duke shtuar se skuadra është e përgatitur dhe e motivuar për të vazhduar me rezultate pozitive.

“Është shumë e veçantë të luash në një ndeshje kualifikuese. Besojmë se me përkushtim mund të arrijmë objektivin tonë për t’u kualifikuar në fazën ‘play-off’ apo edhe në kampionatin evropian. Kemi analizuar ndeshjen e fundit ndaj San Marinos dhe në ditët në vijim do të analizojmë edhe Qipron”, u shpreh Bujupi.

Ndeshja ndërmjet Qipros dhe Kosovës U21 do të zhvillohet të premten, më 14 nëntor, në orën 18:00 (sipas kohës së Kosovës).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Erolina Osmani B.I shpall të pavlefshme certifikatën e biznesit me…