
Darko Prebiraçeviç, trajneri i ri i Kosovës në volejboll
Federata e Volejbollit e Kosovës e ka zyrtarizuar të enjten marrëveshjen me trajnerin e njohur malazez, Darko Prebiraçeviç, i cili do të udhëheq Përfaqësuesen A të meshkujve për një periudhë njëvjeçare, në kuadër të projektit të mbështetur nga Federata Ndërkombëtare e Volejbollit (FIVB).
Marrëveshja u nënshkrua në ambientet e Federatës së Volejbollit të Kosovës, në prani të presidentit të FVK-së, Bahri Gjinovci dhe sekretarit të përgjithshëm Valon Nikqi.
“Përveç angazhimit në Përfaqësueses A, trajneri Prebiraçeviç do të përfshihet edhe në zhvillimin e ekipeve të tjera kombëtare të grupmoshave, në vazhdën e projektit të nisur me mbështetjen e FIVB për ngritjen e volejbollit kosovar në të gjitha nivelet. Prebiraçeviç është trajneri i dytë i huaj që angazhohet në drejtimin e e Kosovës, pas çekut Martin Nemec, i cili e udhëhoqi ekipin së fundmi”, thuhet në njoftimin e FVK-së.
Përvoja e Prebiraçeviç është e pasur dhe përfshin angazhime si ndihmëstrajner i Kombëtares së të rriturve të Malit të Zi në evente të rëndësishme ndërkombëtare si Liga Botërore 2017, Kampionati Botëror FIVB 2018, EuroVolley 2019, 2021 dhe 2023, si dhe Lojërat e Shteteve të Vogla ku fitoi medaljen e artë në vitin 2019. Po ashtu, ai ka qenë trajner kryesor i ekipeve të moshave të Malit të Zi në garat ballkanike dhe evropiane.
Në nivel klubesh, ka arritur suksese të shumta me ekipin Jedinstvo Bemax në Mal të Zi dhe ka pasur një periudhë të suksesshme edhe në Katar me ekipin Qatar Sport Club, me të cilin arriti gjysmëfinalen e Kupës së Emirit dhe vendin e katërt në kampionat në sezonin 2024/25.
/Epoka e re/