Dashurije Nuhaj Bislimi: Nga diaspora drejt Kuvendit, kandidate e AAK-së me numër 57
Dashurije Nuhaj Bislimi është kandidate për deputete në listën e AAK-së për zgjedhjet parlamentare të 28 dhjetorit dhe mban numrin 57.
Edhe pse jeton dhe vepron në Zvicër, ajo nuk e ka harruar asnjëherë vendlindjen e saj në Ferizaj – Jezercin, dhe Shtimen, ku është martuar dhe ka ndërtuar një familje të shëndoshë.
Përmes një postimi në “Facebook” Nuhaj Bislimi ka treguar arsyen se pse ka vendosur që të kandidojë për deputete në zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Pas një debati të brendshëm dhe të gjerë familjar, duke e parë se Kosova është duke rrëshqit në politika të gabuara që kanë synim largimin e popullit nga Kosova, më keq se në kohën e pushtuesit është vitale që çdo njeri në formën që di dhe mundet të japë kontributin që Kosovës t’i jepen vlera që i takojnë dhe të udhëhiqet nga njerëzit që dinë dhe munden t’i dalin zot vendit, si në të kaluarën edhe sot. Angazhimi im është për familjen tradicionale shqiptare kudo që gjendet ajo, me vlerat e saj të trashëgimisë kulturore, patriotike dhe liridashëse, nga këto vlera ka lindë edhe lufta e lirisë me të cilën jetojmë sot, me këto vlera ruhet dhe zhvillohet shteti i Kosovës. Me familjet e bashkuara, unë si një nanë shqiptare nga diaspora, e lidhur ngushtë me Kosovën, dua që të japë kontributin tim për Kosovën nëpërmjet AAK-së, kësaj filozofie politike që është ndërtuar dhe bërë themel i shëtit të Kosovës dhe me të garantohet e ardhmja e saj në vlera perëndimore. Andaj në këto zgjedhje më 28 dhjetor jam kandidate për deputete në listën e AAK-së me numër 57. Pres mbështetjen e juaj në këtë rrugëtim! Ishim dhe vazhdojmë në krah të Kosovës”, ka shkruar Nuhaj Bislimi.



