Daut Haradinaj mobilizon Aleancën në Klinë, nga Sferka: Bashkë do ta bëjmë Kosovën të shkëlqejë
Kandidati i Aleancës, Daut Haradinaj, ka qëndruar sonte në Sferkë të Klinës, ku bashkë me kryetarin e komunës, Zenun Elezaj, kanë mbajtur një tubim zgjedhor, të cilin e ka cilësuar si të jashtëzakonshëm për pjesëmarrjen dhe mbështetjen qytetare.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj tha se në këtë tubim morën pjesë qytetarë të profileve dhe bindjeve të ndryshme politike, duke e vlerësuar këtë si tregues të një fryme të re mobilizimi.
“Në Sferkë sonte bashkë me kryetarin Zenun Elezaj. Një tubim i jashtëzakonshëm me njerëz të jashtëzakonshëm, të të gjitha sferave dhe drejtimeve politike, pa dallim”, ka shkruar Haradinaj.
Ai ka vlerësuar qeverisjen lokale të komunave të udhëhequra nga Aleanca, duke thënë se ato janë shembull i performancës dhe menaxhimit të mirë, model që sipas tij duhet të shtrihet në nivel qendror.
“Se si ndërtohet shteti na e tregojnë komunat, dhe çdo komunë që udhëhiqet nga Aleanca është dukshëm para të tjerave për nga performanca dhe menaxhimi. Të tillë do ta bëjmë edhe Kosovën, të shkëlqejë ashtu siç e ka hije”, u shpreh ai.
Haradinaj ka bërë thirrje për mbështetje në zgjedhjet e 7 qershorit, duke kritikuar qeverinë aktuale për, siç tha ai, bllokimin e vendit dhe dëmtimin ekonomik të Kosovës.
“Më 7 qershor t’u japim përgjigje atyre që e bllokojnë Kosovën, atyre që ua çojnë qindra miliona euro Serbisë përmes energjisë, atyre që përbuzin çdo vlerë të këtij vendi dhe ofendojnë çlirimtarët”, ka deklaruar Haradinaj.
Në fund, ai u shpreh i bindur se ndryshimi është i domosdoshëm, duke theksuar se “Kosova do të çlirohet nga prangat e të padijshmëve, të padinjitetshmëve dhe të korruptuarve”.



