
De Jong nënshkruan kontratë të re me pagë të reduktuar
Pas disa vitesh negociatash të gjata dhe të ndërlikuara, Frenkie de Jong dhe Barcelona më në fund kanë arritur një marrëveshje për zgjatjen e kontratës së mesfushorit holandez.
Lajmi është konfirmuar nga Mundo Deportivo, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë pasigurie rreth të ardhmes së tij në “Camp Nou”.
Kontrata aktuale e De Jong skadonte në verën e vitit 2026, por tani është arritur akordi për një rinovim afatgjatë, me një klauzolë lirimi prej 500 milionë eurosh, një shifër që nënvizon rëndësinë e tij për klubin.
Në mënyrë të papritur, lojtari 28-vjeçar ka pranuar një ulje të konsiderueshme të pagës, diçka që ai e kishte kundërshtuar që prej ardhjes së presidentit Joan Laporta në vitin 2021. Në kontratën aktuale, De Jong fitonte rreth 365 mijë euro në javë, ndërsa shuma e re nuk është bërë ende publike.
Ky hap shihet si një gjest besnikërie dhe përkushtimi ndaj projektit të Barcelonës, e cila ende ndodhet në një periudhë stabilizimi financiar. Drejtori sportiv Deco ka vlerësuar vazhdimisht rolin e holandezit, duke e cilësuar si “lojtar themelor për të ardhmen e klubit”.
Frenkie de Jong iu bashkua Barcelonës në verën e vitit 2019 nga Ajax, për një shumë prej 86 milionë eurosh. Që prej asaj kohe, ai është shndërruar në një element të domosdoshëm në mesfushën katalanase, duke mbetur një prej lojtarëve më të qëndrueshëm të skuadrës.
Ky rinovim i jep fund spekulimeve për një largim të mundshëm në Ligën Premier, dhe e konfirmon De Jong si një nga shtyllat kryesore të projektit afatgjatë të Barcelonës. /Telegrafi