Debat i ashpër mes nënkryetarëve: Akuza për korrupsion, inflacion, kapje të pushtetit dhe krizë politike

05 qershor 2026 | 23:16

Sonte është zhvilluar një debat mes nënkryetarëve të katër partive kryesore në emisionin “Debat Plus” në TV Dukagjini, ku janë diskutuar programet zgjedhore, gjendja ekonomike dhe sfidat institucionale para zgjedhjeve të 7 qershorit.

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka mbrojtur mënyrën se si partia e tij ka vepruar në procesin e negociatave, duke thënë se mungesa e propozimeve konkrete nga partitë e tjera ka çuar në bllokadë institucionale.

“Kosovën e dërguan në zgjedhje ata të cilët nuk dhanë kurrfarë propozimi konkret qysh me dal prej situatës në të cilën u gjendëm… LVV-ja veproi sepse do të ishte edhe më skandaloze që ne të mos propozonim president fare”, tha Konjufca.

Ai shtoi se në fazën përfundimtare janë bërë përpjekje intensive për marrëveshje politike me partitë opozitare, duke theksuar se dallimet më të mëdha kanë qenë me PDK-në.

“Me PDK-në ka qenë më i ndërlikuar debati… dukej që PDK-ja donte një president partiak i cili drejtpërdrejt do t’i takonte PDK-së”, u shpreh ai, duke shtuar se çështja e Vjosa Osmanit u ngrit vetëm pasi u kuptua pamundësia e marrëveshjes me VV-në.

Nga ana tjetër, nënkryetari i PDK-së, Uran Ismaili, ka akuzuar Vetëvendosjen për tentim dominimi në procesin e negociatave dhe imponim të vullnetit politik.

“Ka dashur ta mbizotërojë diskursin me propozimet e tyre dhe me dëshirën që ta imponojnë vullnetin gjithnjë e më të madh të Albin Kurtit në atë diskutim”, deklaroi Ismaili, duke shtuar se partia e tij ka kërkuar transparencë në procesin e bisedimeve.

Nënkryetarja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili, e ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar për përqendrim të pushtetit dhe çuarje të vendit në krizë politike për interesa personale.

“Kosovën e ka çuar në zgjedhje pangopësia për pushtet. Një kryeministër në detyrë që dëshiron të jetë edhe kryeministër, edhe kryetar, edhe president, e madje edhe kryeprokuror”, tha ajo.

Sipas saj, qeveria aktuale po tenton të cenojë pavarësinë e institucioneve të drejtësisë dhe po e përdor krizën politike për të shmangur përgjegjësinë qeverisëse.

Ndërkohë, nënkryetari i AAK-së, Besnik Tahiri, e ka quajtur procesin e negociatave për presidentin “spektakël politik”, duke vënë në dyshim qëllimin e tij që në fillim.

“I gjithë procesi i konsultimit politik… ka qenë një spektakël politik që nga fillimi është ditur që synimi nuk është me prodhu një kriter të një profili të një presidenti unifikues”, deklaroi Tahiri.

Debati ka nxjerrë në pah ndarjet e thella mes partive rreth mënyrës së formimit të institucioneve, procesit të zgjedhjes së presidentit dhe akuzave të ndërsjella për përgjegjësinë e krizës politike, duke reflektuar polarizimin e fortë të skenës politike në prag të zgjedhjeve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje…