DEBATI MBI “KOMBIN KOSOVAR” NË DRITËN E TEORISË SË KOMBIT
Vështrim për librin: “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar” (Kundër ideve komb-ndarëse të N. Spahiut) të autorit Xhevat Hasani. Botoi”Prointegra.ch”, 2025 Cyrih.
Shkruan: Demir RESHITI
Debati mbi identitetin kombëtar në Kosovë, veçanërisht pas vitit 1999 dhe shpalljes së pavarësisë më 2008, ka prodhuar një literaturë të gjerë publicistike dhe akademike, ku përplasen qasje të ndryshme teorike mbi raportin ndërmjet kombit, shtetit dhe identitetit qytetar. Brenda këtij konteksti, libri “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar” i dr. Xhevat Hasanit paraqitet si një ndër ndërhyrjet më të artikuluara kundër tezës së krijimit të një “kombi kosovar”.
Vepra ka karakter polemik, por mbështetet në ambicie të qarta teorike. Autori nuk mjaftohet me kundërshtim deklarativ, por ndërton një argumentim sistematik, duke e trajtuar çështjen e “kombit kosovar” si problem konceptual, historik, juridik dhe gjeopolitik. Në këtë kuptim, libri pozicionohet në kufirin ndërmjet publicistikës ideore dhe analizës shkencore, me synim të drejtpërdrejtë ndikimin në diskursin akademik dhe publik.
Një nga pikat më të forta të librit është përdorimi konsistent i teorive klasike të kombit si bazë analitike. Hasani ndërton argumentimin e tij mbi dallimin ndërmjet dy modeleve themelore të formimit të kombit: modelit etnokulturor dhe modelit politik-qytetar.
Duke iu referuar traditës gjermane të mendimit politik, veçanërisht Johann Gottlieb Fichte-s (Reden an die deutsche Nation, 1808), autori e koncepton kombin si bashkësi historike të ndërtuar mbi gjuhën, kulturën, traditën dhe vetëdijen etnike. Në këtë kuadër, kombi shqiptar paraqitet si një entitet historikisht i konsoliduar, me vazhdimësi etnike dhe kulturore të pakontestueshme.
Në kontrast, modeli francez i kombit, i artikuluar nga Ernest Renan (Qu’est-ce qu’une nation?, 1882), e përkufizon kombin si vullnet politik për bashkëjetesë qytetare. Hasani argumenton se ky model është i aplikueshëm kryesisht në shoqëri multietnike dhe se aplikimi i tij në rastin e Kosovës përbën një keqinterpretim teorik, pasi shqiptarët e Kosovës nuk përfaqësojnë një entitet të ri etnik, por një pjesë integrale të kombit shqiptar.
Një kontribut qendror i librit është insistimi në dallimin ndërmjet kombit dhe shtetit, dallim që, sipas Hasanit, shpesh keqinterpretohet në diskursin publik kosovar. Autori thekson se shteti është konstrukt juridik dhe politik, ndërsa kombi është realitet historik dhe sociokulturor.
Në këtë kuadër, autori kundërshton tezën se konsolidimi i shtetit të Kosovës kërkon ndërtimin e një identiteti të ri kombëtar. Përkundrazi, ai argumenton se shtetndërtimi është proces institucional dhe juridik, i pavarur nga riformulimet artificiale të identitetit etnik. Referencat ndaj Planit të Ahtisarit, Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Kartës së Kombeve të Bashkuara shërbejnë për të demonstruar se nocioni i “kombit kosovar” nuk gjen mbështetje në dokumentet themelore të shtetit.
Në analizën historike, Hasani argumenton se në Kosovë nuk ka ekzistuar asnjë proces i veçantë i etnogjenezës që do të justifikonte lindjen e një kombi të ri. Ai thekson vazhdimësinë historike të popullsisë shqiptare, homogjenitetin gjuhësor dhe kulturor, si dhe mungesën e ndarjeve strukturore etnike.
Autori i kundërshton analogjitë e përdorura shpesh në diskursin publik (Austria, Moldavia, Maqedonia e Veriut), duke argumentuar se këto janë produkte të konfigurimeve historike dhe perandorake thelbësisht të ndryshme. Në këtë aspekt, analiza e tij përputhet me qasjet e Eric Hobsbawm-it mbi “traditat e shpikura” dhe proceset artificiale të ndërtimit të identiteteve.
Një shtresë e rëndësishme e librit është analiza e implikimeve gjeopolitike të ndarjes identitare. Hasani argumenton se krijimi i një “kombi kosovar” nuk do të ishte proces neutral, por do të prodhonte efekte destabilizuese në të gjithë hapësirën shqiptare.
Sipas autorit, ndarja e kombit shqiptar në dy entitete do të dobësonte pozitën politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, Mal të Zi dhe Luginën e Preshevës, duke krijuar precedent të rrezikshëm për relativizimin e identitetit kombëtar. Në këtë kuptim, identiteti trajtohet jo vetëm si çështje kulturore, por edhe si faktor strategjik i sigurisë kombëtare dhe rajonale.
Metodologjikisht, libri mbështetet në analizën kritike të diskursit publik, sintezën teorike dhe përdorimin e argumenteve normative. Stili është i drejtpërdrejtë dhe herë-herë polemik, çka e afron tekstin me traditën e manifestit ideor. Megjithatë, argumentimi mbetet koherent, i strukturuar dhe i mbështetur në referenca teorike të qëndrueshme.
Për fund, konstatojmë se libri “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar” përfaqëson një kontribut të rëndësishëm në debatin mbi identitetin kombëtar shqiptar dhe teorinë e kombit në Ballkan. Pavarësisht natyrës së tij polemike, vepra e dr. Xhevat Hasanit mbetet një ndër përpjekjet më të plota për të artikuluar një mbrojtje teorike të unitetit kombëtar shqiptar në kontekstin e realiteteve politike bashkëkohore.
Shënime për autorin:
Xhevat Hasani ka lindur më 14 shkurt të vitit 1953 në fshatin Buzez të Opojës. Gjatë viteve 1979–1991 ka punuar si asistent dhe docent në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Në fund të vitit 1992, për shkak të përndjekjeve politike nga regjimi serb, është larguar nga Kosova. Prej 30 vjetësh jeton në Zvicër.
Ka qenë përkrahës i rinisë studentore të viteve tetëdhjeta dhe përkrahës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Letërsia, historia dhe çështja e Kosovës në veçanti, kanë qenë dhe janë profesioni i dytë pas profesionit të mjekut.
Libra të botuar:
- “Shkolla dhe arsimi shqip për fëmijët shqiptarë në Kosovë, Maqedoni dhe Mal të Zi përballë shovinistëve sllavë, maqedon e malazez”, Vjenë 1995. (I njëjti libër është botuar edhe në gjuhën gjermane: “Die Albanische Schulen und das Schulwesen in den albanischen Gebieten in Kosovo, Makedonien und Montenegro angesichts des serbischen, mazedonischen und montenegrinischen Chauvinismus”, Wien 1995).
- “Sistemi shëndetësor i Kosovës: Mjekësia popullore dhe ritualet”, Zyrih 2000. (I njëjti libër është botuar edhe në gjuhën gjermane: “Das Gesundheitsystem Kosovos: Volksheilkunde und Rituale”, Zürich 2003).
- “Një jetë nën shërbim të lirisë”, libër monografik kushtuar dëshmorit Naser Hani nga Struga, Prishtinë 2013.
- “Me Selman Lajçin në Sanxhak”, libër monografik kushtuar dëshmorit Selman Lajçi, Prishtinë 2015.
- “Dymbëdhjetë legjenda shqiptare”, Prishtinë 2025. (I njëjti libër është botuar edhe në gjuhën gjermane: “Zwölf Albanische Legende”.
“S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar” është libri i gjashtë i autorit, me karakter politik-publicistik.



