
“Deçanin e fitojmë pa balotazh”| Ramosaj tregon cilat komuna i fiton AAK
Kandidati i AAK-së për kryetar të Deçanit për mandatin e tretë, Bashkim Ramosaj, i cili ka qeverisur këtë komunë për dy mandate radhazi, ka thënë se secili që jeton në atë komunë mund të jetë kandidat për kryetar në zgjedhje.
Megjithatë, ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se nuk i ka pëlqyer ashpërsia e përdorur nga kundërkandidatët.
“Nuk është që kam ndonjë vlerësim apo që kam marrë në detaje në vlerësime për ta apo që kam analizuar se kush çfarë mund të bëjë, jemi duke jetuar në demokraci, pluralizëm, mendoj që çdokush që e ka një ide dhe e mendon veten si kryetar komune ka të drejtë të konkurrojë. Uroj që gjithsecili prej nesh të kemi një program, dhe t’i kemi disa kode etike dhe morale për atë që e marrim përsipër. Gjatë gjithë jetës time jam përkushtuar shumë që të kem një balanc politik në këtë qytet. Nuk më ka pëlqyer ashpërsia që mund ta kenë rivalët politik, tek e fundit Deçani është një qytet me 28 mijë banorë dhe krejt njihemi mes vete edhe si familje dhe uroj që ta bëjmë më të mirën. Ne e kemi një kulturë në këtë qytet që nga paslufta e deri tash që nuk është që kemi bërë ndonjë incident, qoftë në fushatë apo në ditën e zgjedhjeve dhe mendoj se kjo kulturë duhet të vazhdojë, e besa edhe të maturohet edhe më shumë në aspektin e trajtimit të njëri-tjetrit, pavarësisht se jemi kundërshtarë politikë”, ka thënë ai.
Ramosaj është shprehur i bindur se më 12 tetor fitojnë pa balotazh dhe më bindshëm se asnjëherë më parë.
“Në zgjedhjet e 12 tetorit do të fitojmë pa balotazh dhe do ta fitojmë më bindshëm se sa që kemi fituar ndonjëherë deri tash”, është shprehur i pari i Deçanit.
Ndërsa, në tërë Kosovën ai thotë se AAK i ruan komunat që i ka ka por shpreson që do të rikthehet edhe në Pejë e Junik.
“Mendoj se aleanca i ruan komunat që i ka. Jemi dalë me sloganin ‘dritë për komunat’ pasi ka qenë e asocuar nga organizatat që kanë bërë vlerësimin e punëve nëpër komuna dhe dikush që është edhe ndërkombëtar e ka thënë këtë ‘aty ku Aleanca menaxhon, është dritë për komunat’ dhe është marrë si thënie e tillë. Mendoj se Gjakova është në nivel krejt tjetër, shumë të lartë, njëjtë Rahoveci, Suhareka, Klina dhe shpresoj që do jemi edhe në dy komuna tjera, në Junik do të rikthehemi si komunë dhe mendoj se do të jemi udhëheqës në Pejë”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.
Po ashtu, i fascinuar është shprehur për Prishtinën, me kandidatin e AAK-së, Bekë Berisha, për të cilin thotë se është më i përshtatshmi që të kryejë punë të mëdha.
“Për Prishtinë më ka fascinuar kandidati jonë për kryetar, Beka. Prishtina mendoj se nuk ka nevojë të provojë njerëz që s’dinë të punojnë. Fati i keq i Prishtinës është që një kohë të gjatë e kanë provuar njerëz që s’kanë ditur të punojnë për kryeqytetin tonë. Mendoj që Beka është më i përshtatshmi deri tash që t’i kryejë punët e mëdha. E kam një besim që nëse i jepet mundësia të bëhet kryetar i Prishtinës, mendoj se do të kryente punë të mëdha dhe do ta transformonte atë qytet në kryeqendër të Kosovës”, ka vlerësuar Bashkim Ramosaj.