Dedaj në Gjykatën Speciale: Kam lëndim në zemër, Serbia m’i ka vrarë 12 anëtarë të familjes, 2 të mitur

06 nëntor 2023 | 11:09

Ish-ambasadori i Kosovës, në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj është duke dëshmuar në Gjykatën Speciale në Hagë.

I pyetur se çfarë mendon për ish-presidentin Ibrahim Rugova, ai ka thënë se ai ishte themelues i shtetit të Kosovës, kurse ish-presidenti tjetër, Hashim Thaçi sipas tij e ka përmbyllur procesin e pavarësisë.

“Presidenti Rugova është themelues i shtetit të Kosovës, ndërsa lideri Hashim Thaçi e ka përmbyll procesin e pavarësisë së Kosovës”, ka thënë ai.

Dedaj është pyetur për karrierën politikë të tij ndër vite, ai është përgjigjur duke thënë se nga pozita e fundit, ajo e ambasadorit në Maqedoninë e Veriut, u largua dhunshëm nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila sipas tij e vendosi në atë pozitë burrin e saj, Prindon Sadriun.

“Postet tjera mund t’i flasim më vonë, në 2004 kam fituar ulësen e deputetit, kur është themeluar Këshilli traniztor kam qenë pjesë e këtij këshilli, zëvendësministër i jashtëm dhe së fundi ambasador që jam larguar dhunshëm, brutalisht dhe politikisht nga presidentja Osmani për qëllime politike, në vend timin e ka dërguar burrin e saj”, ka thënë ai.

Më tutje, ai ka treguar se për shkak të terrorit serb, ai ishte detyruar të heqë dorë nga mësimdhënia.

“Për arsye se Serbia kishe ushtruar terrorin dhe gjenocidin u detyruam të heqim dorë, nga mësimdhënia dhe gjithë kohën kapacitetet e mija t’i vë në dispozicion, të ndërkombëtarizimit të çështjes së Kosovës dhe organizimin e jetës. Ishin mbyllë shkollat, ishin përjashtuar mësimdhënësit, dëshironim që ta mbanim jetën edhe pse kushtet ishin të vështira. Kjo është arsyeja pse dhashë dorëheqje nga mësimdhënia”, ka thënë ai.

Dedaj ka thënë se gjatë luftës ka organizuar një sërë protestash kundër pushtimit serb dhe dhunës së krijuar.

Në dëshminë e tij, Dedaj ka theksuar se regjimi i Serbisë ia ka vrarë 12 anëtarë të familjes, ndër ta dy të mitur.

“Kam lëndim në zemër, e kam zemrën me tela që ma ka shkaktuar Serbia. I kam stendat në zemrën time, në shpirtin tim. Serbia më ka vra 12 anëtarë të familjes, 2 të mitur… Në këtë dhomë këtu para kriminelit Millosheviq kam folur balle përballë…”, ka thënë ai.

I pyetur se a ka pasur tensione me institucioneve të Kosovës të viteve 90-ta dhe UÇK-së, ai ka thënë se kishte vetëm moskoordinim dhe ndonjëherë moskuptime.

“Ka pasur moskoordinim, mosinformim, flas për udhëheqjen politike në Prishtinë, e kanë shikuar me droh dhe me shqetësim shfaqjen e UÇK-së, që në fakt që e bëri realitet lirinë e Kosovës. Ka pasur individ brenda partive, që kanë bërë dezinformata kundër UÇK-së, personalisht kam pasur dëshirë të shkoj në ato zona”, ka thënë Dedaj. /EO

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pashk Jakaj nga Gjakova shpall të pavlefshme dëftesat e gjimnazit…