Dedaj: Nuk jam kandidat për deputet\ Liberalët e Kosovës do ta votojnë PDK-në dhe Bedri Hamzën për kryeministër

07 dhjetor 2025 | 02:13

Kryetari i Partisë Liberale të Kosovës (PLK), Gjergj Dedaj, ka njoftuar opinionin publik se nuk është kandidat për deputet në asnjë listë zgjedhore të partive politike. Ai theksoi se nuk ka zhvilluar takime apo negociata me asnjërin prej liderëve politikë, ndërsa konfirmoi se votat e PLK-së do të orientohen kah PDK-ja dhe kandidati i saj për kryeministër, Bedri Hamza.

Më poshtë njoftimi i plotë i Dedajt:

NJOFTIM

Nuk jam kandidat në asnjërën listë zgjedhore dhe nuk kam takuar asnjë lider apo subjekt politik për të biseduar në lidhje me këtë çështje.

Dua ta sqaroj opinionin dhe miqtë e mi se nuk kam pasur asnjë takim me asnjërin nga liderët apo subjektet politike për përfshirjen time në ndonjë listë zgjedhore, dhe se nuk dëshiroj e as kam interes të jem kandidat për Kuvendin e Kosovës.

Mendoj se unë dhe subjekti politik që kam themeluar dhe drejtuar, Partia Liberale e Kosovës (PLK), kemi qenë shumë aktivë në kohë të vështira për vendin – para dhe gjatë luftës, në ballë të rreziqeve për jetën, në kohë gjakderdhjesh dhe sakrificash. Në vitin 1998 kam qenë nënkryetar i Kuvendit të Kosovës; në vitin 2004 u zgjodha deputet i Kuvendit të Kosovës dhe mora pjesë në Qeveri në koalicion me PDK-në që nga viti 2007; ndërsa së fundmi kam shërbyer si Ambasador i Republikës së Kosovës në Shkup.

Duke qenë se individë të caktuar kanë publikuar montazhe të rreme me fotografinë time, sikur të isha takuar me ndonjë lider politik për përfshirjen në listat zgjedhore, si dhe për shkak të disa mediave dhe analistëve të dështuar e servilë që e keqpërdorin emrin tim, ndiej obligim ta sqaroj të vërtetën time – një vendim i palëkundur: nuk do të jem në asnjërën nga listat partiake për zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025.

E vërteta është se unë, miqtë e mi, simpatizantët dhe votuesit liberal-demokratë, do ta votojmë PDK-në, sikurse kemi bërë në të gjitha zgjedhjet dhe sfidat që nga viti 2007. Do ta mbështesim Bedri Hamzën si kandidat meritor, dinjitoz dhe të nevojshëm për postin e Kryeministrit të Kosovës.

Beteja ime politike vazhdon dhe do të mbetet aktive për ta mposhtur regjimin populist të LVV-së dhe për të dhënë kontributin tonë, aty ku mundemi, në riparimin e partneritetit me SHBA-në, BE-në dhe NATO-n, si dhe në forcimin e perspektivës evropiane dhe integrimin euroatlantik të shtetit të Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kryesia e Degës së PDK-së në Gjermani ka shprehur shqetësimet…