
Dedaj: PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja duhet ta votojnë kryetarin e Kuvendit, por t’ia pamundësojnë Kurtit bërjen e qeverisë
Të hënën ka dështuar për herë të tretë zgjedhja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar si kandidate për kryetare të Kuvendit ish-ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Ish-kryetari i Kuvendit, aktualisht deputet i këtij subjekti politik, Glauk Konjufca ka deklaruar se kandidatura e Albulena Haxhiut për kryetare Kuvendi mbetet e pandryshuar, por ka thënë se situata aktuale politike nuk mund të zgjidhet pa një marrëveshje ndërpartiake.
Nesër (e mërkurë) me fillim nga ora 10:00 pritet të mbahet seanca e radhës për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Në lidhje me zhvillimet që pritet të ndodhin dhe se a mund të kemi nesër një finalizim të zgjedhjes së kryekuvendarit ka folur ish-ambasadori i Kosovës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Gjergj Dedaj.
Dedaj ka thënë se pushteti në largim i ka degraduar të gjitha proceset politike në Kosovë si dhe vete funksionimin demokratik të Republikës së Kosovës.
Sipas Dedaj, opozita duhet ta votojnë në unitet kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit të Kosovës, por duhet t’ia pamundësojnë Kurtit bërjen e qeverisë.
“PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja duhet ta votojnë unik kryetarin dhe kryesinë e Kuvendit të Kosovës, por po aq unik do duhet të jenë në mbrojtje të Kosovës duke ia pamundësuar Albin Kurtit bërjen e qeverisë, sepse kjo do rrezikonte, izolonte dhe do sillte në pikëpyetje vete ekzistencën e shtetit të Kosovës” ka thënë Dedaj në gazetën “Blic”.