
Dedaj: Vizita e Kallasit në Kosovë po ndodhë në momentin më të keq për vendin
Ish-ambasadori i Kosovës, Gjergj Dedaj, ka komentuar vizitën e përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian (BE), Kaja Kallas, në Kosovë, duke e cilësuar atë si të pavend në rrethana aktuale të rënda politike dhe institucionale në vend.
“Vizita e zonjës Kaja Kallas, përfaqësuese për politikë të jashtme dhe për siguri e Bashkimit Evropian, e cila pritet të vijë në Kosovë me qëllim të sjelljes së mesazhit të BE-së për zhvillimet politike, sigurinë dhe stabilitetin në Kosovë dhe rajon”, ka thënë Dedaj.
Ai ka shtuar se në kushte të tilla është e vështirë të pritet ndonjë përfitim konkret nga kjo vizitë.
“Në një situatë të tillë është vështirë të flitet për një vizitë e cila mund të sjellë ndonjë progres apo sukses për Kosovën. Është hendikep i madh që zonja Kallas vjen në Kosovë në një moment fragjil, duke e gjetur Kosovën në një gjendje të rëndë politike, pa institucione kredibile dhe pa Kuvend dhe pa qeveri”, ka thënë Dedaj.
Duke folur për përfaqësuesit institucionalë të vendit, Dedaj ka kritikuar legjitimitetin e tyre politik dhe shtetëror.
“Në njërën anë e kemi Vjosa Osmanin e cila nuk ka mbështetje politike dhe si e tillë ka legjitimitet të dëmtuar institucional dhe shtetëror, si dhe në anën tjetër e kemi deputetin Albin Kurti i cili po ashtu nuk ka as legjitimitet dhe as legalitet të përfaqësimit institucional, qeveritar dhe shtetëror të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai për “FrontOnline”.
Sipas tij, ngërçi politik dhe kolapsi institucional e vënë Kosovën në pozitë të vështirë të përfaqësimit dinjitoz dhe të marrjes së përgjegjësive shtetërore para Kallasit.
“Ngërçi politik dhe kolapsi institucional e vënë Kosovën në pozitë të vështirë të përfaqësimit dinjitoz dhe të marrjes së përgjegjësive shtetërore para zonjës Kallas, respektivisht para BE-së, qoftë për vazhdimin e dialogut me Serbinë apo edhe të çështjeve tjera për të cilat kërkohet progres nga BE-ja dhe partnerët ndërkombëtarë ndaj Republikës së Kosovës”, ka thënë Dedaj.
Ai ka përfunduar se në këto rrethana nuk pritet ndonjë përparim domethënës.
“Në një situatë të tillë të destabilizimit politik dhe në gjendje të mjerë të diplomacisë kosovare dhe të vetë shtetit të Kosovës është vështirë të pritet ndonjë sukses apo rezultat konkret nga kjo vizitë e zonjës Kaja Kallas në Kosovë!”, është shprehur Dedaj.