Ish-atasheu ushtarak i Kosovë në SHBA beson se “Defender Europe 2025” krahas rritjes profesionale të pjesëtarëve të FSK-së, jep mesazh të qartë për partneritet të ngushtë në mes të vendit tonë dhe Shteteve të Bashkuara.
“Ky ushtrim përfaqëson jo vetëm një mundësi për rritje profesionale për Forcën e Sigurisë së Kosovës, por gjithashtu është një mesazh i qartë i partneritet tonë më të ngushtë me aleatët, NATO-n dhe partnerët tjerë dhe demonstron përkushtimin e Kosovës ndaj paqes në rajon. Me këtë ushtrim bëhet validimi i regjimentit të tretë që është një arritje madhore që na ofron edhe më shumë drejtë integrimit të plotë në struktura atlantike. Ana tjetër për sigurinë kombëtare, edhe mesazhi për rajonin është që pjesëmarrja e Kosovës në këtë ushtrim aq të madh dhe me rolin aq të rëndësishëm që iu ka dhënë Kosovës në këtë ushtrim ka rëndësi të madhe edhe për sigurinë kombëtare. Angazhimi aktiv i FSK-së përkrah trupave të NATO-së, të aleatëve dhe gjithë partnerëve… nuk ka të bëjë vetëm me rritjen e kapaciteteve mbrojtëse të FSK-së, por gjithashtu dërgon mesazh të qartë për stabilitetin dhe gatishmërinë tonë pra në rajon”, thotë Gashi.
Se pjesëmarrja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në “Defender Europe 2025” e shkurton rrugëtimin e Kosovë drejtë NATO-së e thotë edhe koloneli në pension i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Afrim Veseli.
“Ka rëndësi shumë të madhe se në një të ardhme të afërt, duke pasur parasysh kapacitet e Forcës që janë duke u zhvilluar me një ritëm jashtëzakonisht të mirë, me një politikë të mençur, do ta shkurtonte rrugën për anëtarësim në NATO. Thjesht, Amerika dhe ushtria amerikane na i ka hapur dyert edhe me këtë rast me pranimin e FSK-së në këtë ushtrim dhe përzgjedhjen e territorit të Kosovës për mbajtje të ushtrimit në Gjakovë është dislokuar komanda e divizionit 28 amerikan dhe kjo do të na ndihmonte shumë që rruga për anëtarësim në NATO të jetë edhe më e shkurt, ashtu siç ne dëshirojmë”, thotë ai.
Ai shton se me përfshirjen në këtë ushtrim të madh ushtarak amerikan ushtarët kosovarë do të fuqizohen edhe në aspektin profesional.
“Është e rëndësisë së veçantë përfshirja e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtrimin e madh ‘Defender 2025’ edhe më shumë se kjo është përzgjedhja dhe vendosja që ky ushtrim të mbahet edhe në Kosovë. Pra, është një nder dhe privilegj që i është dhënë republikës dhe ushtrisë sonë… Padyshim që edhe në aspektin profesional të zhvillimit të Forcës ky ushtrim do të ndikojë shumë sepse gjatë këtij ushtrimi do të shohin përvoja dhe do të marrin përvoja nga ushtria amerikane dhe ushtritë e tjera të NATO-s që janë pjesëmarrëse. Po ashtu, sistemet e armëve të reja me të cilat është furnizuar Kosova së fundmi ndër vite, do të kenë mundësi t’i aplikojnë dhe t’i përdorin”, thekson kolonel Veseli.
“Defender Europe 2025” do të jetë në Kosovë deri më 9 qershor.
Kjo është hera e tretë që Kosova është nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar të drejtuar nga Ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Evropë dhe Afrikë.
Në operacionin e udhëhequr nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, pritet të marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.
Në operacionin e udhëhequr nga Komanda e Ushtrisë Amerikane për Evropë dhe Afrikë, pritet të marrin pjesë rreth 25 mijë trupa nga 29 vende aleate dhe partnere të NATO-s.
Të enjten në një reagim nga Ambasada Amerikan në Kosovë thanë se angazhimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës në “Defender Europe 2025” mbështet planin gjithëpërfshirës të tranzicionit të FSK-së, duke çuar përpara evolucionin e saj në një forcë mbrojtëse territoriale shumë-etnike, të ndërveprueshme me NATO-n. /kp/