
Deficiti më i madh tregtar në histori, AKB: Modeli ekonomik i Qeverisë po e shkatërron vendin
Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) ka shprehur shqetësimin e thellë për përkeqësimin e bilancit tregtar të Kosovës dhe varësinë e rrezikshme nga importet.
Vetëm një muaj më parë, kryetari i AKB-së, Agim Shahini, kishte paralajmëruar se importet për vitin 2025 do të arrinin shifrën rekord prej 7 miliardë eurosh.
“Shifrat e 9 mujorit të parë tashmë e vërtetojnë këtë trend: importet kanë kaluar 5 miliardë euro, ndërsa eksportet janë ulur me rreth 30 milionë euro krahasuar me vitin e kaluar. “Kjo është pasqyra më e qartë e një ekonomie të brishtë, që konsumon produkte të gatshme nga jashtë dhe eksporton para të gatshme. Kosova po varfërohet çdo ditë, qytetarët po humbasin fuqinë blerëse, dhe prodhuesit vendorë po mbesin pa përkrahje. Nëse qeveria vazhdon të heshtë, ky vit do ta gjejë Kosovën me deficit tregtar më të thelluar në histori,” tha kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
Kryetari i AKB-së thekson se mungesa e politikave zhvillimore ka bërë që ekonomia e Kosovës të mbështetet kryesisht në ndërtimtari dhe tregti, ndërsa sektorë strategjikë si bujqësia, prodhimi, industria nxjerrëse dhe energjia po mbeten nën potencial.
Ai ka deklaruar ky model jo vetëm që nuk krijon zhvillim afatgjatë, por po e dëmton rëndë stabilitetin ekonomik të vendit.
“AKB-ja i bën thirrje Qeverisë së Kosovës të marrë përgjegjësi dhe të veprojë me masa konkrete: Subvencionim real dhe përkrahje për prodhuesit vendorë, Lehtësira për eksportuesit dhe hapje të tregjeve të reja, Orientim i investimeve në prodhim, bujqësi, industri dhe energji, Politika fiskale që forcojnë fuqinë blerëse të qytetarëve, Hartim të një strategjie kombëtare për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Kosova nuk mund të ndërtojë mirëqenie mbi konsum dhe import. Pa prodhim, eksport dhe politika zhvillimore të guximshme, vendi do të mbetet i varur dhe i varfëruar”, ka thënë Shahini.