Deficiti tregtar gjatë 2024 u rrit për 7.4 për qind

12 qershor 2025 | 07:49

Për 7.4 për qind është rritur deficiti tregtar në vitin 2024 krahasuar me një vit më parë, bazuar në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Statistikave.

Sipas ASK-së, vlera e eksportit gjatë vitit që shkoi ishte mbi 941 milionë euro, teksa importi mbi 6 miliardë euro.

“Duke krahasuar të dhënat e eksporteve për mallrat kosovare gjatë vitit 2024 me atë të vitit 2023, shifrat tregojnë se ka një rritje vjetore për 9.1%, rritje e cila ka edhe më tutje bilancin negativ tregtar të Kosovës. Ndërsa të dhënat e tregtisë së mallrave për importin e Kosovës në vitin 2024 kanë shënuar një rritje vjetore rreth 7.7%, duke krahasuar me vitin paraprak 2023”, thuhet në raportin e Agjencisë së Statistikave të Kosovës.

Nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë kanë thënë se edhe këtë vit vendi do të përballet me sfida ekonomike, si pasojë e fuqizimit të vendimit për liberalizim të tregut të energjisë për bizneset me mbi 50 punonjës ose mbi 10 milionë euro qarkullim vjetor. Vendimi ka hyrë në fuqi më 1 qershor.

“Deri tash mbështetja e institucioneve ndaj bizneseve ka qenë shumë e ulët dhe veprimet për t’i ndihmuar ato kanë qenë të ngathëta e të pakta. Fatkeqësia është që edhe këtë vit do të përballemi me telashe, si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë dhe liberalizimit të tregut të energjisë elektrike, pasojat negative të së cilit tashmë jemi duke i vërejtur”, ka thënë Kushtrim Ahmeti, drejtor i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.

Në publikimet e ASK-së figuron se gjatë 2024-s Kosova gjysmën e mallrave e ka importuar nga shtetet e Bashkimit Evropian, që në total kapin shifrën prej 3 miliardë eurove, derisa drejt tyre ka dërguar mallra në vlerë prej 312 milionë euro.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ushtria ukrainase njofton se ka goditur një fabrikë baruti në…