Deficiti tregtar i Kosovës: një sfidë strukturore për zhvillimin ekonomik

03 tetor 2025 | 17:15

Shkruan: Nazmi Jusufi

Deficiti tregtar është një nga treguesit më të ndjeshëm të dobësive strukturore të ekonomisë së Kosovës. Për më shumë se dy dekada, vendi ka mbajtur një bilanc tregtar thellësisht negativ, me importe disa herë më të larta se eksportet. Sipas të dhënave të fundit që kam deficiti tregtar vjetor tejkalon 4 miliardë euro, çka e rendit Kosovën ndër vendet me një jo-ekuilibër apo disbalancë më të theksuar tregtar në rajon. Ky realitet nuk është vetëm një çështje e statistikave makroekonomike, por paraqet një problem afatgjatë të zhvillimit të qëndrueshëm, duke reflektuar varësinë e lartë nga mallrat e huaja, dobësinë e sektorëve prodhues dhe mungesën e një strategjie industriale gjithëpërfshirëse.

Shkaqet e këtij deficiti janë të shumta dhe të ndërlidhura. Ekonomia kosovare vuan nga një strukturë e kufizuar prodhuese dhe një industri e fragmentuar, që nuk arrin të përmbushë kërkesën e brendshme e as të konkurrojë në tregjet ndërkombëtare. Eksportet mbeten kryesisht të përqendruara në minerale, metale bazë dhe pak produkte bujqësore, ndërkohë që pjesa dërrmuese e konsumit ushqimor, energjetik e teknologjik mbulohet nga importet. Mungesa e investimeve serioze në teknologji, inovacion dhe kapacitete prodhuese e bën Kosovën më shumë një ekonomi tregtare sesa prodhuese. Një tjetër faktor është edhe struktura e kërkesës së brendshme: konsumatorët shpesh orientojnë shpenzimet drejt mallrave të importuara për shkak të perceptimit të cilësisë më të lartë, duke e ngushtuar hapësirën për prodhimet vendase.

Pasojat e këtij realiteti janë të thella. Një deficit tregtar i lartë dobëson bilancin e pagesave dhe rrit varësinë nga kapitali i jashtëm. Remitancat e diasporës, të cilat çdo vit injektojnë në ekonomi mbi një miliard euro, shërbejnë si amortizues i këtij disproporcioni, por nuk mund të konsiderohen zgjidhje strukturore. Përkundrazi, mbështetja afatgjatë te remitancat e kthen ekonominë në një model të brishtë, i ekspozuar ndaj luhatjeve të jashtme. Për më tepër, orientimi i kapitalit drejt tregtisë importuese, dhe jo prodhimit, pengon zhvillimin industrial dhe kufizon krijimin e vendeve të reja të punës. Kosova, duke mos pasur monedhën e vet, i shpëton rrezikut të menjëhershëm të zhvlerësimit monetar, por kjo nuk e zvogëlon pasojën themelore: krijimin e një ekonomie jo të qëndrueshme, që mbetet vulnerabël ndaj çdo krize globale të çmimeve të ushqimit apo energjisë.

Përballë këtyre sfidave, kërkohet një qasje e re strategjike. Rritja e kapaciteteve prodhuese në bujqësi, industri ushqimore dhe sektorë të tjerë strategjikë duhet të jetë prioritet i politikave publike. Diversifikimi i eksporteve dhe orientimi drejt produkteve të përpunuara me vlerë të shtuar është i domosdoshëm për të dalë nga cikli i shitjes së lëndëve të para dhe varësisë nga një numër i kufizuar tregjesh. Marrëveshjet tregtare me CEFTA-n dhe Bashkimin Evropian duhet të shfrytëzohen më mirë për të rritur qasjen e produkteve kosovare në tregjet rajonale dhe ndërkombëtare. Po ashtu, investimet në infrastrukturë, logjistikë dhe standardizim janë elementë që ndikojnë drejtpërdrejt në konkurrueshmërinë e ekonomisë.

Po e perfundojë me konstatimin se deficitin tregtar të Kosovës nuk duhet parë thjesht si një disbalancë numerike, por si pasqyrim i një ekonomie që ende nuk ka arritur të krijojë një bazë të qëndrueshme prodhuese. Ulja e tij kërkon politika të integruara ekonomike, ku mbështetja e sektorëve strategjikë kombinohet me inovacionin, teknologjinë dhe integrimin më të thellë në tregjet ndërkombëtare. Vetëm përmes këtij transformimi, Kosova mund të zvogëlojë varësinë nga importet dhe remitancat, duke siguruar zhvillim më të balancuar dhe stabilitet afatgjatë ekonomik.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-nënkryetari i OVL-UÇK-së, Gjeneral Nasim Haradinaj, ka shprehur mbështetjen e…