
Dega e OVLUÇK-së në Pejë nis iniciativë për pastrimin e listave të veteranëve
Me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të qytetit të Pejës, Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVLUÇK), Dega në Pejë, ka njoftuar se ka shpallur nismën për përgatitjen dhe pastrimin e listave të luftëtarëve të UÇK-së në këtë komunë.
Sipas kësaj dege, kjo iniciativë vjen si nevojë për të ruajtur dinjitetin dhe të vërtetën e luftës sonë çlirimtare, për të respektuar sakrificën e atyre që dhanë gjithçka për liri dhe për të ndarë me përgjegjësi e drejtësi emrin e shenjtë të luftëtarit të UÇK-së.
“Ftojmë të gjithë bashkëluftëtarët, familjarët dhe strukturat lokale që të jenë pjesë e këtij angazhimi të përbashkët, për të ruajtur të pastër historinë dhe të shenjtë kontributin e secilit luftëtar të vërtetë. Lavdi e përjetshme dëshmorëve të kombit! Nderim të gjithë luftëtarëve të lirisë!”, është thënë në njoftimin e Degës së OVLUÇK-së në Pejë.