
Degradimi i hetuesve – armë e kapjes së shtetit
Shkruan: Hisen Berisha
(Në vend, po instalohet një diktaturë administrative, ku frika zëvendëson ligjin, dhe bindja zëvendëson profesionalizmin.)
Në një shtet normal, hetuesit e krimit të organizuar janë mburojë e shoqërisë nga kapja, korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin. Në qeverisjen Kurti në Kosovë, ata janë viktima të një regjimi që e përdor shtetin si bunker të mbrojtjes nga drejtësia. Kjo ndodhi sërish ditëve të fundit, kur një hetues me përvojë dhe integritet në njësinë e hetimeve të krimit të organizuar u degradua brutalisht, vetëm pse guxoi të hetojë aferat e lidhura me pushtetarë të lartë. Ishte një mesazh i qartë: kush prek rrjetin e mbrojtur nga pushteti, viktimizohet.
Ky degradim nuk është rastësor. Ai është pjesë e një strategjie të mirëmenduar të kapjes së plotë të sistemit hetues dhe policor – në funksion të mbrojtjes së zyrtarëve të korruptuar dhe lidhjeve të tyre me krimin. Një sistem që, në vend se të forcojë ndëshkimin, ndëshkon ata që e zbatojnë ligjin. Kjo është esenca e shtetit të kapur: luftohet hetuesi, jo i hetuari. Dhe kjo tashmë ndodh në mënyrë të përsëritur, me bekimin dhe urdhrat e strukturave më të larta politike.
Vetëm pak ditë më parë, ministrja e Industrisë Rozeta Hajdari, në një letër zyrtare drejtuar Policisë, kishte kërkuar ndëshkimin e një hetuesi që kishte trajtuar një kallëzim penal për rezervat shtetërore. Në vend se të përgjigjej para drejtësisë, ministrja ushtron presion për të heshtur hetuesin. E gjitha kjo ndodh në heshtje, me arrogancën e një pushteti që nuk njeh kufij institucional dhe përdor çdo mjet për të mbrojtur vetveten – duke përfshirë edhe përndjekjen e atyre që guxojnë të hetojnë.
Një aspekt edhe më i rrezikshëm i kësaj klime është se vetë Kryeministri Albin Kurti është subjekt i hetimeve, për çështjen e rezervave shtetërore, ku përfshihen gjithashtu ministrja Rozeta Hajdari dhe biznesmeni Ridvan Muharremi, i njohur për lidhjet e tij të hershme me kriminel të njohur të regjimit serb. Sipas burimeve të Prokurorisë Speciale, Kurti ka refuzuar të paraqitet për intervistim, dhe e sfidoi organin e akuzës me fjalorin e bastarduar- “unë nuk erdha në zyret tuaja – ju nëse guxoni ejani tek unë në zyre”, duke e bërë të qartë se as vetë nuk e njeh më autoritetin e drejtësisë. Kjo tregon qartë se kapja e institucioneve të hetimit dhe ndëshkimi i hetuesve nuk janë më vetëm mjet për mbrojtjen e zyrtarëve të thjeshtë – por mburojë për vetë udhëheqësin më të lartë të qeverisë.
Për ta mbrojtur këtë mburojë politike, pushteti ka ndërtuar një sistem të tërë kontrolli mbi Policinë. Në majë të saj qëndron një hierarki e re, e instaluar në heshtje, që nuk i përgjigjet ligjit por vetëm vullnetit të ministrit Sveçla dhe rrethit të tij politik. Emërimet arbitrare, degradimet, transferimet pa arsyetim – janë bërë metodë e zakonshme për të shantazhuar hetuesit e ndershëm dhe për të avancuar të bindurit e pushtetit.
Kjo nuk është reformë. Është instalim i frikës dhe ndëshkimit. Kush heton, largohet. Kush hesht dhe bindet, shpërblehet. Një klimë e tillë e kthen Policinë nga instrument i ligjit, në aparat të frikës. Dhe frika, e ushtruar me uniformë shtetërore, është arma më e rrezikshme e një regjimi që s’ka më kufij kushtetues.
Qeveria Kurti nuk po e lufton krimin – po e mbron. Dhe për ta bërë këtë, po i shpall luftë hetuesve të tij. Ky është një përmbysje e frikshme e parimeve themelore të shtetit të së drejtës. Nuk kemi të bëjmë me incidente të izoluara, por me një model qeverisës që e sheh drejtësinë si kërcënim, dhe hetuesin si armik. Një model që e përdor Policinë si mburojë të krimit dhe Prokurorinë si instrument të nënshtrimit.
Në këtë sistem, nuk ka vend për profesionistët e ndershëm. Ata degradohen, dëbohen, linçohen – publikisht e institucionalisht. Dhe në vend të tyre ngjiten militantët, servilët dhe ata që dinë të heshtin kur duhet të flasin. Në këtë mënyrë, instalohet një diktaturë administrative, ku frika zëvendëson ligjin, dhe bindja zëvendëson profesionalizmin.
Ky është grushtshteti i heshtur i një qeverie që nuk njeh më ndarje pushtetesh, as kontroll demokratik, as llogaridhënie. Dhe përballë kësaj, heshtja është bashkëfajësi.