
Degradimi i mjedisit në regjionin e Prizrenit, arrestohen 17 persona
Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar opinionin publik, se në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Njësia për Hetimin e Krimeve Mjedisore DKOKR- DPP – Prishtinë, pas një hetimi disamujorë duke zbatuar masat e veçanta hetimore, sot me datë 23.06.2025 kanë zhvilluar një aksion në regjionin e Prizrenit, përkatësisht në katërmbëdhjetë (14) lokacione, kundër degradimit të mjedisit, me ç’rast janë arrestuar shtatëmbëdhjetë (17) persona të dyshuar, janë sekuestruar tridhjetë e tetë (38) mjete të kryerjes së veprës penale duke përfshirë: nëntë (9) kamionë, katërmbëdhjetë (14) eskavator, pesëmbëdhjetë (15) makineri seperimi, si dhe prova të tjera materiale, ku vlera totale e sekuestrimit është rreth 2 milionë euro.
Të pandehurit, nga data e pavërtetuar dhe në vazhdimësi nga muaji shkurt 2025 deri më datë 04.06.2025, në regjionin e Prizrenit përreth lumit “Drini i Bardhë”, veprojnë në kundërshtim me Ligjin për Minierat dhe Mineralet, duke bërë ndotjen, degradimin dhe shkatërrimin e mjedisit dhe shfrytëzojnë jashtë mase burimet natyrore, duke eksploatuar, përpunuar dhe separuar rërë dhe zhavorr. Me këto veprime secili veç e veç ka kryer veprën penale “Ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” nga neni 338 të KPRK-së.
“Po ashtu, të njëjtit, nga veprimet e lartëcekura shkatërrojnë rrjedhën e lumit nga nxerrja e rërës dhe zhavorrit nga punimet e makinerive të rënda, duke lënë gropa të hapura, në vende ku mund të lëvizin një numër i madh i njerëzve, me ç’rast shkaktojnë rrezik të madh për trupin dhe jetën e njerëzve të cilët mund të lëvizin në atë territor. Me këto veprime, secili veç e veç ka kryer veprën penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 356 të KPRK- së. Po ashtu gjatë zhvillimit të aksionit, njëri nga të pandehurit ka penguar zyrtarët policor në kryerjen e detyrave të punës. Me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale ‘Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare’ nga neni 401 të KPRK-së, si dhe njëri nga të pandehurit ka kryer veprën penale ‘Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’ nga neni 366 sipas KPRK-së”, ka njoftuar Prokuroria Themelore në Prizren.
Sipas këtij njoftimi, shtatëmbëdhjetë (17) të pandehurit e arrestuar, gjenden nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe brenda afatit ligjor për të njëjtit Departamenti i Përgjithshëm, do të parashtroj kërkesë për caktim të masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë.
Prokuroria Themelore në Prizren, mbetet e përkushtuar maksimalisht në luftimin e dukurive të tilla të kundërligjshme që degradojnë ambientin dhe u bënë thirrje qytetarëve për bashkëpunim në luftimin e kësaj dukurie degraduese.