Degradimi i vlerave të shtetndërtimit të shoqërisë sonë

23 janar 2018 | 14:59

Hysen Dreshaj – “Besniku”

Vitet e fundit në Kosovë ka filluar një degradim i përgjithshëm i vlerave në shoqëri, edhe pse në Kosovë ende nuk janë tharë lotët e mijërave shqiptarëve të vrarë mizorisht, edhe pse në Kosovë ende jemi në kërkim të mijëra trupave të zhdukur, edhe pse në Kosovë ende janë me trauma mijëra gra të dhunuara, edhe pse në Kosovë ende shihen kudo gjurmët e krimit dhe të terrorit shtetëror serb, e në Kosovë po zhvillohet një fushatë e pistë kundër çlirimtarëve.

Kjo fushatë, në përmasa më të vogla, vazhdoi që nga paslufta, por me fillimin e krijimit të Gjykatës Speciale ajo sa vjen e rritet. Duket sikur janë përzier vlerat dhe kundërvlerat dhe kjo nuk është e rastësishme, ngaqë për këtë janë angazhuar shumë “misionarë” të cilët janë vënë në shërbim të politikave antikombëtare.

Për rrënimin e këtyre vlerave më të zëshmit janë ish-UDB-ashët dhe nostalgjikët e vëllazërim-bashkimit. Ish-UDB-ashët, është e natyrshme, që ata dikur janë futur me dashje apo pa dashje në kthetrat e pushtetit okupator dhe është e natyrshme që ata nuk mund të shkëputen lehtë nga rruga e tyre – e pistë.

Për këtë, ata edhe sot vazhdojnë misionin e tyre, për përmbysjen e vlerave kombëtare, duke i njollosur ata që dhanë më së shumti për lirinë e Kosovës, për të cilën liri patëm nevojë të gjithë ne, por më së shumti kjo kategori, sepse këta ishin më të robëruarit.

Po ashtu, këtij misioni i janë bashkuar edhe nostalgjikët e vëllazërim-bashkimit, të cilët dikur, duke qenë të afërt me pushtetin dhe me “pobratimat” e tyre, patën përfitime dhe pushtet. Për këtë, duke e ndier se ka përfunduar koha e tyre, ata për humbjen e ndikimit në shoqëri fajësojnë UÇK-në, e cila ua prishi rehatinë.

Kjo pjesë e ligë e shoqërisë, duke qenë se kishte njerëz të privilegjuar nga pushteti dhe duke qenë se me forcën e pushtetit ushtronte ndikim në shoqëri, sot i bënë ata që, edhe 18 vjet pas lufte, të mos pajtohen me realitetin e ri.

Andaj edhe vjellin vrer dhe helm kundër atyre që ua prishën rehatinë. Është bërë rutinë që të gjitha vrasjet e pasluftës të zihen në gojë vetëm gjatë fushatave politike jo vetëm në media të caktuara, por edhe nëpër debate nga analistë të njëanshëm politikë, të cilët e promovojnë veten për parti politike.
Drejtohet gishti sa këndej e sa andej, madje deri në Kuvend dhe asnjë reagim nga drejtësia. Nuk merret askush as me të akuzuarin dhe as me akuzuesin. Pra, nuk është njerëzore, që këto vrasje të përdoren për përfitime politike, apo inate personale. Ato janë barrë për tërë shoqërinë dhe duhet të zbardhen sa më parë.

Përndryshe, ato kanë mbetur si një plagë e hapur në shoqëri dhe po i jepet mundësia çdo kujt, që përmes këtyre plagëve të shkaktojë dhimbje, duke drejtuar gishtin sipas tekeve apo inateve personale.

Andaj, drejtësia ta kryejë punën e vet dhe t’i sjellë para drejtësisë të gjithë autorët e krimeve, kushdo qofshin ata. Është e natyrshme që këtë e kërkojnë familjarët e tyre, e kërkon edhe shoqëria, por e kërkoj edhe unë si ish-pjesëtar i UÇK-së, ngaqë mosveprimi i drejtësisë disi po e humbet dhe zbeh imazhin e UÇK-së.

Kjo po ndodh sepse iu la hapësirë për llomotitje të pandershmëve, atyre që përherë ishin në anën e kundërt me popullin dhe që këto raste dëshirojnë t’i shfrytëzojnë për destabilitet të vendit dhe për të futur huti në mesin e luftëtarëve të lirisë. UÇK-ja lindi nga populli dhe ishte e popullit.

Ishte e ndershme dhe meritore për lirinë e vendit, ngaqë pa pushkët çlirimtare nuk do të kishim as liri, as aleatë dhe as përkrahje ndërkombëtare. Ajo kishte një datë të fillimit, por edhe të mbarimit, prandaj nuk është e ndershme të hidhen akuza në drejtim të saj, edhe për ngjarjet e pasluftës; qoftë edhe nëse ato kryhen nga ish-pjesëtarë të saj.

Duket sikur u harruan krimet e kryera nga shteti dhe ushtria serbe. Duket se disa njerëz, të pandershëm, qoftë në disa media, qoftë nëpër oda të burrave (ndeja, të pame etj.), më tepër kanë interesim që UÇK-ja të nxirret kriminale sesa Serbia.

Këta njerëz janë bërë misionarë të së keqes dhe shkojnë deri aty sa deklarohen se “të gjithë komandantët e UÇK-së, dhe të gjithë ushtarët e UÇK-së, janë hajna e kriminelë”.

Po ashtu, janë fyese dhe ofenduese etiketimet edhe ndaj veprimtarëve të mëhershëm, që me gjakun e tyre skuqen muret e qelive në burgjeve të ish-Jugosllavisë. Këta njerëz me deklarime të tilla i bëjnë dëm vendit dhe popullit, në njëfarë mënyre duke e shfajësuar Serbinë dhe duke e bartur autorësinë e krimit tek ne.

Por, populli i di të gjitha, e njeh të ndershmin dhe të pandershmin, atdhetarin e tradhtarin. I njeh edhe ata që dikur i mbushën burgjet me bijtë e bijat më të mira të këtij vendi.

Ata që tani janë e kaluara jonë e errët, ne sot nuk kemi nevojë për “nazihatin” e atyre që dikur e kishin plot gojën “nacionalizëm”, “irredentizëm” e që na dhanë edhe dajak. Është koha që ne si shoqëri të vetëdijesohemi dhe mos t’u japim hapësirë të tillëve.

T’i nxjerrim nga oda e burrave të pandershmit, sepse ata po e degradojnë edhe odën e burrave. Mediet mos t’ua botojnë shkrimet e pavlera, sepse e degradojnë edhe medien edhe shoqërinë.

Të merret drejtësia me të akuzuarit, por edhe me akuzuesit (shpifësit). Dhe, krejt në fund, ta duam shtetin tonë dhe t’i respektojmë institucionet tona, sepse i ndërtuam me gjak.

Aty kemi gjakun e Jasharëve, gjakun e Zahirit e Ilirit, Luanit e Adrianit. Aty kemi gjakun e Afrim Zhitisë e Fahri Fazliut, Rexhep Malës e Nuhiut, Jusuf Gërvallës e Kadriut. Aty kemi qëndresën e Bacës Adem, rininë e vëllezërve e motrave në burgjet jugosllave.

Aty kemi vuajtjet dhe rënkimet e popullit. Andaj mos gjuani me gurë, se dhëmb. Pra, ta bëjmë Kosovën ashtu siç e deshën çlirimtarët dhe siç e duam edhe ne.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar…