Dekania Violeta Nushi nderohet me Medaljen Presidenciale të Meritave
09 prill 2026
| 11:54
Dekania e Fakultetit të Arkitekturës në Universitetin e Prishtinës, prof. Violeta Nushi, është nderuar para disa ditësh me Medaljen Presidenciale të Meritave nga presidentja Vjosa Osmani.
Ceremonia e nderimit të dekanes Nushi dhe personaliteteve tjera me njërën nga vlerësimet me të larta shtetërore, u bë më 30 mars 2026.
Medalja Presidenciale e Meritave dekanes Nushi iu dha „për kontributin e jashtëzakonshëm afatgjatë në zhvillimin e arsimit të lartë, shkencës dhe profesionit te arkitekturës në Kosovë”.
Prof. Violeta Nushi, që ndodhet në mandatin e dytë të udhëheqjes së Fakultetit të Arkitekturës, është po ashtu arkitektja e parë doktor i shkencës në arkitekturë dhe urbanizëm në Kosovë me një përvojë profesionale 37 vjeçare.



