
Deklarata e Trumpit, Cakolli: S’do ketë hapësirë për kalkulime të brendshme, Kosova të jetë e qartë
Eugen Cakolli nga KDI, ka reaguar në lidhje me deklaratën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, pasi ky i fundit është zotuar të angazhohet sërish në normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke thënë tani Kosova nuk mund të jetë as pasive, as e paqartë.
Cakolli po ashtu ka deklaruar edhe se nga rikthimi i Trumpi është bërë e qartë se logjika e imponimit do të jetë në qendër të veprimit diplomatik.
Ai ka vlerësuar edhe se ndryshimi globale po ndodh në një moment kur Kosova është më së paku e përgatitur për të, dhe se, siç ka thënë ai, kur shteti është në pauzë.
‘‘Ka një mori mësimesh që duhet nxjerrë nga situata me Iranin dhe përfshirja vendimtare e Trumpit në ‘zgjidhjen’ e saj. Që nga rikthimi i tij, është bërë e qartë se me administratën Trump, logjika e imponimit do të jetë në qendër të veprimit diplomatik – me një largim nga rendi i parashikueshëm ndërkombëtar. Përmendja e Kosovës, në kontekst të dialogut me Serbinë, nga Trumpi – si një çështje që ‘e kishte zgjidhur’ – ishte një kujtesë se problemet e hapura, mund të rikthehen në tavolinë kur e kërkojnë rrethanat, jo palët. Dhe, kur rikthehen, zakonisht përfundojnë si zgjidhje të imponuara. Kosova nuk mund të jetë as pasive, as e paqartë. Ky ndryshim global po ndodh pikërisht në një moment kur Kosova është më së paku e përgatitur për të. Shtetin e kemi në pauzë, lidershipin politik të fragmentuar dhe diplomacinë thuajse inekzistente, që në rastin më të mirë – reagon ndaj zhvillimeve’’, ka deklaruar ai.
Më tutje, ai ka thënë se edhe përfshirja e Trumpi në dialogun Kosovë-Serbi mbetet një skenar real, dhe se në këtë skenar, s’do të ketë hapësirë për kalkulime të brendshme.
“ShBA-të do të mbeten të përfshira në Kosovë, gjithnjë e më shumë në mënyrë transaksionale. E kaluara e përbashkët nuk garanton trajtim të përhershëm preferencial. Presidenti Trump duket se respekton ata që vijnë në tavolinë me vlerë të shtuar, qëndrueshmëri dhe kapacitet për të ofruar zgjidhje, jo thjesht me kërkesa. Përfshirja e tij në dialogun Kosovë-Serbi mbetet një skenar real, sidomos nëse Ballkani Perëndimor rikthehet në vëmendjen ndërkombëtare. Në atë skenar, nuk do të ketë hapësirë për kalkulime të brendshme – vetëm presion dhe nevojë për qartësi’’, ka shtuar Cakolli.
Në fund, Cakolli ka theksuar se Kosova duhet të ndërtojë pozicione të qarta dhe të pavarura nga retorikat e së kaluarës.
“Për këtë arsye, Kosova duhet të ndërtojë që tani pozicione të qarta, të pavarura nga retorikat e së kaluarës dhe emocionet e miqësisë. Koha për përgatitje nuk fillon kur ftohesh në tavolinë, por kur përmendesh në fjali. Dhe në një rend ku marrëveshjet nuk burojnë nga proceset e balancuara, por nga çaste të favorshme, vetëm ata që janë të gatshëm, mbeten faktorë realë’’, ka përfunduar Cakolli.