
Deklarata të kundërta për atë se çfarë u diskutua, Guerot e zbulon se Kurti vetë i ftoi diplomatët në takim
Ambasadori francez, Olivier Guerot, ka shkruar të martën në platformën “X” për takimin e djeshëm me kryeministrin në dorëheqje, Albin Kurti, si dhe me ambasadorët e tjerë të vendeve të QUINT-it dhe atë të BE-së.
Ai ka treguar se takimi në zyrën e kryeministrit është realizuar me iniciativën e Kurtit dhe tha se temë e diskutimit ishte integrimi europian i Kosovës dhe formimi i institucioneve.
“Së bashku me ambasadorët e tjerë të QUINT-it dhe të BE-së, takova kryeministrin në detyrë Albin Kurti, me iniciativën e tij. Pata një bisedë të mirë mbi integrimin europian të Kosovës dhe çfarë duhet bërë në këtë drejtim. Formimi i një qeverie është një nga hapat e nevojshëm”, ka shkruar Guerot.
Ndërsa në njoftimin që kishte lëshuar dje zyra e kryeministrit për këtë takim thuajse e tërë përmbajtja ishte e fokusuar te procesi i anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës, të cilën ZKM e prezantoi si “temë qendrore e takimit”.
Por, veç pak i ka përmendur diskutimet për çështjen e bllokadës së institucioneve, duke thënë se gjatë takimit diskutua edhe “për rrugën përpara në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe zhvillimet e fundit në vend”.
Sidoqoftë, version krejt tjetër dhanë diplomatët që ishin me Kurtin në njoftimet e tyre për takimin.