
Deklaratat e VV-së për FSK-në në Veri, Haradinaj: Politizim i një fatkeqësie, Kurti po mbulon afera me “patriotizëm”
Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Daut Haradinaj, ka kritikuar Lëvizjen Vetëvendosje, pasi që akterë të kësaj partie politizuan sot prezencën e FSK-së në veri që shkoi atje së bashku me KFOR-in për kërkimin e një të riut që u zhduk nga Ujmani pak ditë më parë. Deputeti i AAK-së ka vlerësuar se qëndrimet e njerëzve të VV-së janë politizim i skajshëm i një fatkeqësie.
Haradinaj për Express ka thënë se ky rast nuk guxon të politizohet dhe se, Kurti në emër të patriotizmit po mundohet me i mbulu aferat njëpasnjëshme.
‘‘Veç fakti që ato ekipe që janë të FSK në veri, janë ekipe të kërkim të shpëtimit, pra janë të emergjencave, kjo është një lajm i mirë që e ka mirëkuptu edhe KFOR-i . Unë muj me thanë publikisht që e kam kritikuar marrëveshjen e ish kryeministrit Thaçi kur ai ka marrur obligim që FSK pa marrëveshje me NATO nuk do të kaloj në veri. Por, në 2025 në kohën kur ne veç pretendimet i kemi që të jemi pjesë e NATO me dal edhe me politizu kaq skajshëm një fatkeqësi një humbje të një djali, që i ke çu disa djem të specializuar për kërkim shpëtim të shoqëruar me KFOR unë mendoj që kjo është dëshmia më e mirë se në çfarë natyre mundohen me manipuluar opinionin publik. Kjo nuk guxon të politizohet. Ushtria e Kosovës nuk ka zbarkuar kërkun në asnjë shtet tjetër, ushtria e Kosovës është e Kosovës. Ushtria e Kosovës është duke e kërkuar një trup të pajetë, i cili fatkeqësisht, trupi i tij është zhduk që disa ditë. Unë mendoj që kryeministri edhe te ndërtimi i urave të reja, që është rast në prokurori, në emër të patriotizmit edhe këtë rast për me i mbulu aferat e njëpasnjëshme , që po kanë afera ditore po mundohen me shfrytëzuar këtë situatë që me thanë që ku arritëm’’, ka deklaruar ai.
Deputeti i AAK-së ka theksuar edhe se kjo s’është hera e parë që trupat e FSK-së kanë shkuar në veri dhe se, ‘’veprimeve manipulative’’ të Kurtit është duke i ardhur fundi.
‘‘Sa i përket hyrjes së trupave të FSK në veri, ka pasur dhjetëra raste, 2014, 2015, 2017, 2019, 2021, ju kujtohet kur ka humbur një fëmijë në pjesën e veriut, edhe pse ka qenë i nacionalitetit serb, vetë pjesëtarët e FSK e kanë gjete atë trup. E njëjta FSK. Unë mendoj që koha e veprimeve manipulative të këtij kryeministri dhe kësaj klase politike është kah i vjen fundi’’, ka thënë ai.