“Deklaratë e kurdisur”, ish-këshilltari i Thaçit kritikon ashpër Vjosa Osmani
Deklarata e presidentes të Kosovës, Vjosa Osmani se nuk bënë homazhe në një vend ku UÇK-ja quhet terroriste, nga bashkëpunëtorët e ish-presidentit Hashim Thaçi po konsiderohet se është një manipulim dhe e pandershme nga ana e të parës së shtetit.
Osmani e bëri këtë deklaratë në podkastin “Nerv” kur u pyet se pse asnjëherë nuk ka bërë homazhe në Grackë të Lipjanit për serbët e vrarë, pasi që paraardhësi i saj i kishte nderuar ata.
Ish-këshilltari i presidentit Thaçi, Ismail Syla ka thënë për KosovaPress se është një përpjekje e Osmanit për ta goditur Thacin në trashëgiminë më të fortë – në qenien e tij të dëshmuar patriotike.
Duke vlerësuar se presidentja iu është përgjigjur pyetjeve të kurdisura, ai kujtoi se Thaçi ka nderuar viktimat dhe jo pllakën me shkrime terroriste.
“Një deklaratë të tillë e konsideroj në kuadër të manovrimeve kur pyetjet dhe përgjigjet janë të kurdisura. Është një përpjekje për të goditur në trashëgiminë më të fortë të Presidentit Thaçi, në qenien e tij të dëshmuar patriotike. Një deklaratë e tillë është një manipulim dhe nuk është i ndershëm as nuk ka etikë të intervistuarit. Presidenti Thaçi, në ato vizita nuk ka vizituar pllakat e shkruara terroriste sepse ato janë pllaka që i ka manipuluar një shtet i caktuar, ai i ka vizituar viktimat. Dihet që viktimat janë viktima çoftë civile shqiptare, çoftë të një nacionaliteti tjetër”, ka thënë Syla.
Syla ka thënë se në vend të njolloset nga ana e presidentes, Thacci do të duhej t’i mbroj dhe të ngrejë zërin në qarqe diplomatike për ish krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
Më 23 korrik të vitit 1999, në Grackë të Lipjanit u vranë 14 serbë, gjatë kohës kur po bënin korrjen e grurit në arat e tyre. Të parën e që e kishin dënuar ashpër këtë akt ishin, liderët politikë e ushtarakë të UCK-së Hashim Thaçi dhe Agim Çeku.
Ky reagim, sidomos i Thacit, ishte përmendur 3 ditë më vonë nga këshilltari i atëbotë presidentit ameriklanë, Bill Clinton, Samuel Berger. Ao ishte shprehur qartë se incidentet e dhunës kundër serbëve nuk janë të njëjta me fushatën masive, sistematike kundër shqiptarëve, si dhe kishte përmendur liderët shqiptarë të Kosovës, të cilët janë të përkushtuar për mbrojtjen e serbëve. Në vitin 2016, Thaçi si president i kishte nderuar ata me homazhe, ndërsa ky gjest i kryer pa pompozitet kishte nxitur reagime të ndryshme, por me të cilat ish-drejtori politik i UCK-së, nuk ishte marrë fare.
KosovaPress qëndroi të hënën në Grackë të Lipjanit, por familjarët e viktimavë nuk pranuan të komentojnë as vizitën e Thacit e as deklaratën e Osmanit.



