Deklarimet e ShBA-së për liberalizim të vizave do të ndikojnë te BE-ja

03 korrik 2020 | 09:25

Njohësi i integrimeve evropiane, Emrush Ujkani, beson se ngritja e zërit të ShBA-së ndaj BE-së për mosliberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës do ta ketë rolin e vet. Ai ka shprehur optimizëm se gjatë presidencës gjermane të Këshillit të Bashkimit Evropian do të futet në agjendë çështja e liberalizimit për Kosovën.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Ujkani ka deklaruar se kjo presidencë duhet t’i japë epilog këtij procesi. “Në fokus të kësaj presidence në raport me Kosovën duhet të jetë çështja e liberalizimit të vizave. Pra, BE-ja gjatë kësaj presidence duhet t’i japë epilog procesit të lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen. Nëse kjo nuk ndodh gjatë kësaj periudhe kohore, do të jetë vështirë të mendohet se në presidencat e tjera do të ketë një shtytje në këtë proces”, ka thënë Ujkani.

Ai ka treguar se ndikimin në këtë proces do ta ketë edhe fakti se deklarimet e ShBA-së për këtë çështje janë shtuar. “Jo që vendet e BE-së do t’i binden ShBA-së, por deklarimi i zëshëm i ShBA-së, se BE-ja nuk po është në gjendje që ta përfundojë një obligim shumë të vogël ndaj Kosovës e lëre më se do ta zgjidhë problemin në mes të Kosovës dhe Serbisë, do ta këtë ndikimin e vet”, ka deklaruar ai.

Ujkani ka vlerësuar se vendimmarrja e BE-së gjatë kësaj presidence për procesin e liberalizimit të vizave do ta rriste kredibilotetin e BE-së në raport me Kosovën. “Ngritjen e zërit të ShBA-së për këtë çështje, mendoj se BE-ja do ta marrë më seriozisht dhe Gjermania do të jetë disfatuese nëse nuk do të arrijë ta çojë deri në fund këtë mesazh. Nëse BE-ja dëshiron ta ketë një rol kredibil në procesin e ndërmjetësimit në dialogun Kosovë – Serbia, veprimi më i mirë për ta rifituar këtë besim te pala e Kosovës do të ishte vendimmarrja për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, është shprehur Ujkani.

“Epoka e re”: Gjermania tashmë ka marrë Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian. Cila është rëndësia e kësaj presidence për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor?
Ujkani: Në kohë të krizës së pandemisë Covid-19 në të cilën gjendet BE-ja, marrja e presidencës nga Gjermania është shumë e rëndësishme sepse blloku ka nevojë për një shtytje ekonomike në përgjithësi në mënyrë që BE-ja ta rimarrë veten nga pasojat që ia ka shkaktuar pandemia e koronavirusit. Sa i përket Ballkanit Perëndimor, mendoj se synimet kanë qenë të qarta edhe në objektivat e përgjithshme që i ka vendosur kjo presidencë. Ne e dimë se Gjermania vazhdon të jetë e fokusuar që dialogu në mes të Kosovës dhe Serbisë të vazhdojë nën ombrellën e BE-së. Në anën tjetër, BE-ja i ka pretendimet e veta që pas vendimit për hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë t’i avancojë tutje ato negociata. Gjithashtu, synimet e kësaj janë që t’i avancojë negociatat me Serbinë dhe Malin e Zi.

“Epoka e re”: Pritjet e institucioneve të Kosovës janë që gjatë kësaj presidence të vendoset në agjendë çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën. Sa ka gjasa të ndodhë kjo?
Ujkani: Në fokus të kësaj presidence në raport me Kosovën duhet të jetë çështja e liberalizimit të vizave. Pra, BE-ja gjatë kësaj presidence duhet t’i japë epilog procesit të lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen. Nëse kjo nuk ndodh gjatë kësaj periudhe kohore, do të jetë vështirë të mendohet se në presidencat e tjera do të ketë shtytje të këtij procesi. Domethënë, pritjet nga  presidencat e ardhshme do të jenë më të zbehta.

 “Epoka e re”: Pse duhet të jemi më optimistë se në këtë presidencë do të ndodhë vendimmarrja për liberalizim të vizave?
Ujkani: Mendoj se optimizmin e shton fakti se deklarimet e ShBA-së për këtë çështje janë shtuar. Jo që vendet e BE-së do t’i binden ShBA-së, por deklarimi i zëshëm i ShBA-së se BE-ja nuk po është në gjendje që ta përfundojë një obligim shumë të vogël ndaj Kosovës e lëre më se do ta zgjidhë problemin në mes të Kosovës dhe Serbisë, do ta ketë ndikimin e vet. Ngritjen e zërit të ShBA-së për këtë çështje, mendoj se BE-ja do ta marrë më seriozisht dhe Gjermania do të jetë disfatuese nëse nuk do të arrijë ta çoj deri në fund këtë mesazh. Nëse BE-ja dëshiron ta ketë një rol kredibil në procesin e ndërmjetësimit në dialogun Kosovë – Serbia, veprimi më i mirë për ta rifituar këtë besim te pala e Kosovës do të ishte vendimmarrja për procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Epoka e re”: Çfarë duhet të bëjnë institucionet e Kosovës gjatë kësaj kohe që t’i bindin vendete anëtare të BE-së për këtë proces?
Ujkani: Së pari Kosova duhet të ketë stabilitet politik. E dimë që kohët e fundit e kemi një periudhë që nuk kemi pasur ndonjë stabilitet të qëndrueshëm. Dhe, së dyti, institucionet tona duhet t’i zbatojnë të gjitha obligimet që i kemi marrë në kuadër të udhëzuesit për liberalizim të vizave. Pra, të punohet për zbatim të forcimit të rendit dhe ligjit.

 “Epoka e re”: Në rrethanat më të mira, kur do të mund të prisnim futjen në agjendë të kësaj çështje?
Ujkani: Agjenda e vendeve anëtare është agjendë politike. Nëse dinamika e zhvillimeve e kërkon një gjë të tillë, kjo çështje shumë lehtë mund të futet në agjendë nga vendet anëtare, në këtë rast nga Gjermania. Kështu që, në rrethanat më ideale, nëse do të bindeshin vendet anëtare, mendoj se kjo do të ndodhë në fillim të muajit dhjetor. 

“Epoka e re”: Kosova është në prag të rifillimit të dialogut me Serbinë. Sa është rreziku që kjo çështje të ndërlidhet me procesin e dialogut Kosovë – Serbi?
Ujkani: Nuk besoj se këto dy procese do të ndërlidhen mes vete.

“Epoka e re”: Disa ditë me parë një grup eurodeputetësh i kanë dërguar një letër kancelares gjermane Angela Merkel, nga e cila kanë kërkuar që të vendoset në agjendën e presidencës gjermane të Këshillit Evropian çështja e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës. Çfarë ndikimi mund të ketë kjo?
Ujkani: Ky është një bashkëpunim në mes të deputetëve të Parlamentit Evropian dhe zyrtarëve të shteteve anëtare. Natyrisht se kjo ka peshën e vet, mirëpo nuk duhet të harrojmë se parlamenti evropian edhe më herët ka pasur vullnetin e njëjtë që të ketë një lëvizje në këtë drejtim. Mendoj se kjo letër ka ndodhur në momentin e duhur, por nuk është diçka vendimmarrëse. Pra, nuk do të luajë ndonjë rol kyç në këtë proces. Dinamika e zhvillimeve do të jetë ajo që do ta përcaktojë çështjen e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

/Muhamet KOCI/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Një person ka mbetur i vdekur ndërsa pesë të tjerë…