Deklarohen të pafajshëm katër të akuzuarit për keqpërdorim lidhur me tenderin e Policisë

09 korrik 2025 | 13:58

Në seancën fillestare të mërkurën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të akuzuarit Imrane Bela, Afrim Berisha, Ismet Dobratiqi dhe Meriton Maloku u deklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën për keqpërdorime rreth tenderit të Policisë.

Në këtë rast, Imrane Bela në cilësinë e kryesueses të Komisionit për vlerësimin e tenderëve, Afrim Berisha dhe Ismet Dobratiqi si anëtarë të këtij Komisioni, ngarkohen se keqpërdorën detyrën kur shpallën fitues të tenderit të Policisë operatorët ekonomikë “Ajani & Adami” dhe “Trofta Soft Papers”. Kurse, Meriton Maloku akuzohet për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik pasi ofertoi me dokument të rremë.

Deklarimin rreth fajësisë, katër të akuzuarit e kanë bërë pasi që prokurori Besnik Jakupi e lexoi aktakuzën, raporton “Betimi për Drejtësi”

Meqenëse të akuzuarit nuk e kanë pranuar fajësinë, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Gent Beka, njoftoi ata dhe mbrojtësit e tyre se brenda afatit ligjor kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.

Sipas aktakuzës se Prokurorisë Themelore në Prishtinë të ngritur më 28 prill 2025, të pandehurit Imrane Bela, Afrim Berisha dhe Ismet Dobratiqi ngarkohen se më 13 dhjetor 2023 në Prishtinë në cilësinë e personave zyrtarë, dhe atë Imrane Bela- Kryesuese e komisionit për vlerësimin e tenderëve, kurse Afrim Berisha dhe Ismet Dobratiqi- anëtarë, duke vepruar si Komision për vlerësimin e tenderit në kuadër të Policisë së Kosovës, bashkërisht me vetëdije kanë shkelur rregullat e prokurimit publik në procedurën tenderuese me titull “Furnizimi me material higjienik – ri tenderi I”, i cili është shpallur nga Policia e Kosovës.

Aktakuza thotë se të njëjtit kanë shpallur si fitues të tenderit operatorët ekonomikë “Ajani & Adami” SH.P.K dhe “Trofta Soft Papers” LLC SH.P.K, duke e ditur se fillimisht kanë vendosur unanimisht se ky proces tenderues duhet të anulohet për shkak se kanë vërejtur se OE “Ajani & Adami” SH.P.K dhe “Trofta Soft Papers” LLC SH.P.K, kanë paraqitur dy produkte, artikullin me numër 12. tek pjesa B (Preparat për heqjen e njollave nga pëlhura ose i ngjashëm, min.1 litër, përbërja: zbardhues me bazë klori dhe aromë) dhe në artikullin numër 5, tek pjesa C (Acid Klorhidrik për amvisëri, min.1 litër, 15-20%) për të cilat kanë deklaruar se i prodhojnë vetë edhe pse në informatat e biznesit nuk ka figuruar se janë prodhues të këtyre produkteve. Mirëpo, vetëm nëntë ditë më vonë, saktësisht më 22 dhjetor 2023, i njëjti komision në përbërje të tre të akuzuarve të lartpërmendur përpilojnë Raportin e vlerësimit të tenderëve, në të cilin thuhet se pas ekzaminimit, vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve lidhur me aftësinë teknike dhe profesionale grupi i OE “Ajani & Adami” SHPK dhe “Trofta soft papers” LLC SHPK, është i përgjegjshëm.

Me çka, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit Penal.

Në dispozitivin e dytë të aktakuzës, i pandehuri Meriton Maloku akuzohet se më 13 tetor 2023, me vetëdije ka shkelur rregullat e prokurimit publik gjatë ofertimit si grup i operatorëve ekonomikë “Ajani & Adami” dhe “Trofta Soft Papers” për marrjen e kontratës në procedurën tenderuese me titull “Furnizimi me material higjenik- ri tenderi 1” i cili ishte shpallur nga Policia e Kosovës.

Aktakuza thotë se i njëjti ka paraqitur dokumentacion të rremë, me qëllim të mashtrimit në procedurat e prokurimit publik dhe me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues në procedurën e prokurimit publik, në atë mënyrë që ka bërë falsifikimin e tiketave të produkteve me qëllim të përshtatjes së tyre me kriteret kërkuara në tenderin e lartpërmendur, duke paraqitur rrejshëm emrin e prodhuesit dhe vendin e origjinës për mostrat e dorëzuara.

Me çka, akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokuroim publik” nga neni 415, paragrafi 1, lidhur me paragrafin 3 të Kodit Penal.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Papa Leoni ndërpreu pushimet dyjavore të mërkurën për të kremtuar…