Dekonstruktimi juridik, kushtetues dhe ndërkombëtar i narrativës së rreme të Beogradit
-Serbia humbi kontrollin kolonial, por nuk mund të njësohet se humbi një “sovranitet të ligjshëm” mbi Kosovën, sepse Kosova kurrë nuk ka qenë pjesë e Serbisë
Shkruan: Prof. Dr. Fejzulla BERISHA
Analizë juridike, kushtetuese dhe ndërkombëtare
Ky artikull trajton në mënyrë të thelluar dhe të argumentuar pretendimin e përsëritur në diskursin politik se “Serbia e humbi Kosovën”. Përmes analizës së teorisë së titullit territorial, dallimit ndërmjet kontrollit faktik dhe sovranitetit juridik, zhvillimeve kushtetuese në ish-Jugosllavi dhe parimit të vetëvendosjes, tregohet se ky formulim është i pasaktë dhe manipulative. Kosova nuk përfaqëson humbje territoriale të Serbisë, por përfundimin e një regjimi dominimi kolonial dhe afirmimin e subjektivitetit të saj shtetëror mbi bazën e legjitimitetit dhe vetëvendosjes.
I. Problemi konceptual: Humbja territoriale dhe titulli juridik
Në të drejtën ndërkombëtare publike, nocioni i “humbjes territoriale” presupozon ekzistencën paraprake të një titulli të ligjshëm sovraniteti (valid legal title). Një shtet mund të humbasë vetëm atë territor mbi të cilin ka ushtruar sovranitet të njohur juridikisht dhe të konsoliduar.
Në rastin e Kosovës, Serbia nuk ka pasur kurrë një titull të tillë sovraniteti, por vetëm kontroll faktik të vendosur me forcë, i cili është ruajtur përmes dominimit politik dhe kolonizimit.
Prandaj, formula “Serbia e humbi Kosovën” është normativisht dhe historikisht e pasaktë. Ajo manipulohet për të paraqitur Kosovën si pronë legjitime serbe, ndërkohë që realiteti juridik dhe historik është krejt ndryshe.
II. Kontroll faktik vs. sovranitet juridik
Dallimi ndërmjet kontrollit faktik (de facto) dhe sovranitetit juridik (de jure) është thelbësor.
Serbia ka ushtruar kontroll administrativ dhe ushtarak mbi Kosovën që nga 1912, por kjo nuk e barazon me sovranitet juridik, sepse:
Nuk u bazua në marrëveshje ndërkombëtare;
Nuk reflektoi vullnetin e lirë të popullsisë;
U imponua me dhunë, represion dhe kolonizim;
Nuk u pranuar nga komuniteti ndërkombëtar si titull legjitim.
Sovraniteti modern buron nga legjitimiteti, jo nga forcimi i pushtetit. Në këtë kontekst, Serbia humbi kontrollin kolonial, por nuk mund të konsiderohet se humbi një “sovranitet të ligjshëm” mbi Kosovën.
III. Statusi kushtetues i Kosovës në ish-Jugosllavi
Kushtetuta e vitit 1974 njohu Kosovës kompetenca të zgjeruara dhe të qarta vetëqeverisëse, përfaqësim në organet federale dhe të drejtë vendimmarrjeje të barabartë me republikët e tjera.
Ky status tregon qartë se Kosova nuk ishte territor administrativ i Serbisë, por një njësi kushtetuese me veçanti dhe subjektivitet politik. Suprimimi i autonomisë në 1989 përmes presionit politik dhe ushtarak përbën delegjitimim të veçantë kushtetues, jo shprehje të ligjshme të sovranitetit serb.
IV. Delegjitimimi i autoritetit serb (1998-1999)
Parimi modern i sovranitetit lidhet me përgjegjësinë për mbrojtjen e popullsisë. Dhuna sistematike ndaj civilëve dhe krimet e kryera nga Serbia tregojnë se ajo nuk ushtroi sovranitet legjitim, por dominim me terror dhe represion.
Ndërhyrja ndërkombëtare e NATO-s dhe vendosja e administrimit ndërkombëtar shënuan fundin e kontrollit kolonial të Serbisë, duke hapur rrugën për afirmimin e subjektivitetit shtetëror të Kosovës.
V. Vetëvendosja dhe pavarësia
Deklarata e pavarësisë më 17 shkurt 2008, e mbikëqyrur ndërkombëtarisht, dhe opinioni këshillimor i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (2010) konfirmuan se:deklarata nuk shkel ligjet ndërkombëtare;Kosova nuk u shkëput nga një sovranitet i ligjshëm serb, por u afirmua si subjekt shtetëror legjitim;parimi i vetëvendosjes u realizua si normë themelore e rendit ndërkombëtar.
VI. Dimensioni semantik dhe diplomatik
Shprehja “humbje” krijon perceptim të rremë, duke sugjeruar posedim legjitim paraprak. Diskursi i Kosovës duhet të bazohen në tre shtylla:
E vërteta historike;
Parimi i vetëvendosjes;
Gjuha e çlirimit dhe afirmimit, jo e fragmentimit.
Kosova nuk është produkt i shpërbërjes territoriale, por rezultat i afirmimit të legjitimitetit dhe subjektivitetit politik.
VII. Nga perspektiva juridike, kushtetuese dhe ndërkombëtare, Kosova nuk është “humbje” e Serbisë, por humbja e kontrollit kolonial të imponuar. Serbia humbi kontroll faktik mbi një territor që nuk i përkiste me titull juridik, ndërsa Kosova afirmoi shtetësinë e saj mbi bazën e vetëvendosjes dhe legjitimitetit demokratik.
Në rendin ndërkombëtar bashkëkohor: Sovraniteti nuk buron nga pushtimi; Ai buron nga legjitimiteti; Legjitimiteti buron nga vullneti i lirë i popullit.



