Dekreti i Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit, ndez përplasje politike në vend
Dekreti i presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, ka thelluar përplasjet politike mes pushtetit dhe opozitës në vend.
Nga Partia Demokratike e Kosovës është vlerësuar se vendimi i presidentes është në përputhje me Kushtetutën.
Deputeti Përparim Gruda ka deklaruar se shpërndarja e Kuvendit është pasojë e drejtpërdrejtë kushtetuese pasi institucionet kanë dështuar ta zgjedhin presidentin brenda afatit të përcaktuar.
Sipas tij, interpretimet që thonë se Kuvendi mund të vazhdojë pa kufizim kohor do të krijonin mundësi për zvarritje të procesit.
Sipas Grudës, afati 60-ditor shërben kryesisht për situata kur posti i presidentit mbetet vakant, si në rast dorëheqjeje, shkarkimi apo vdekjeje të presidentit. Në këto raste, sipas tij, nuk mund të zbatohet afati prej 30 ditësh i nenit 86, sepse ai lidhet me përfundimin e rregullt të mandatit të presidentit aktual.
Në anën tjetër, përfaqësues të pushtetit dhe ekspertë të së drejtës e kanë kundërshtuar dekretin.
Kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë vlerësuar se vendimi është jokushtetues dhe kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë çështjen në Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Edhe disa njohës të çështjeve juridike kanë shprehur qëndrimin se presidentja ka vepruar në kundërshtim me Kushtetutën, duke argumentuar se Kuvendi ende kishte kohë për ta zgjedhur presidentin para se të merrej vendimi për shpërndarjen e tij.
Kjo situatë ka rritur tensionet politike në vend dhe ka hapur debat të gjerë për interpretimin e dispozitave kushtetuese që lidhen me zgjedhjen e presidentit dhe shpërndarjen e Kuvendit.
Liderët politikë janë takuar disa herë për të arritur një figurë konsensuale për presidentin, por pa sukses.
Seanca e fundit për zgjedhjen e presidentit u ndërpre në mungesë kuorumi, pasi në sallë munguan deputetët e partive opozitare.
Në garë për këtë post ishin Glauk Konjufca dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxha nga Lëvizja Vetëvendosje.
Presidentja e shpërndau Kuvendin pas moszgjedhjes së presidentit më 5 mars dhe ka konsultuar partitë për datën e zgjedhjeve të parakohshme, raporton Telegrafi.



