DEKRETI PËR SHPËRNDARJEN E KUVENDIT
Shkruan: Flamur Hyseni
Dekreti jo vetëm që është në kundërshtim me Kushtetutën, por edhe mënyra se si po tentohet të argumentohet – interpretohet (mbrohet) – është në kundërshtim me Kushtetutën.
“Argumentuesit” po thonë se në javën e parë të janarit është dashur të fillojnë procedurat për zgjedhjen e Presidentit. Madje kujtojnë se qëllimi ka qenë shpërndarja e Kuvendit. Këta ose flasin përmendësh, ose janë dashakeqës ndaj Republikës. Do t’i mirëkuptoja nëse do të flisnin përmendësh.
Në javën e parë të janarit, Kosova ishte vetëm pak ditë pas zgjedhjeve për legjislaturën e dhjetë. Nuk kishte Kuvend të konstituuar. Si do të kishte qenë e mundur të fillonin procedurat për zgjedhjen e Presidentit, sipas kësaj logjike?
Moszgjedhja e Presidentit “jo më vonë se teidhjetë ditë” në asnjë rrethanë nuk nënkupton veprime automatike. Nuk ka automatizëm në politikë, sepse para se të bëhet politikë institucionale ekzistojnë rregulla kushtetuese që mundësojnë veprime politike, të cilat duhet të bëhen në harmoni me Kushtetutën, e cila është edhe akt politik. Pra, një veprim politik nuk mund ta tejkalojë aktin politik.
Në rrethanat aktuale:
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është akt në kundërshtim me Kushtetutën.
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është akt jopolitik.
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është akt joinstitucional.
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është veprim politik në kundërshtim me aktin politik.
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është sjellje politike që, në pamje të parë, mund të duket e qëndrueshme, por pasoja që shkakton ndaj institucionit të vetëm përfaqësues të popullit – Kuvendit – është në kundërshtim me Kushtetutën.
Neni 82 i Kushtetutës përcakton rastet kur shpërndahet Kuvendi. Kosova, me përvojën e saj institucionale deri më tani, nuk ka pasur rast ta zbatojë nenin 82, paragrafi 1, nënparagrafi 3. Nënparagrafët 1 dhe 2 janë zbatuar më herët.
Neni 86, paragrafi 2, nuk ka fiksuar afat dhe shprehimisht përcakton se: “Zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual.”
Cili është fakti këtu? Organizimi i seancës më 5 mars. Pra, procedura filloi. Çka nëse procedura do të kishte filluar 15 ditë më herët dhe Presidenti nuk do të ishte zgjedhur? Faktet e datës 5 mars e pamundësuan realizimin e afatit “jo më vonë se tridhjetë ditë”. Këto tridhjetë ditë janë një mundësi, por kurrsesi pasojë për të krijuar rrethana veprimi automatik.
Pikërisht neni 82, paragrafi 1, nënparagrafi 3 ofron sigurinë juridike dhe institucionale dhe shprehimisht përcakton se Kuvendi e humb aftësinë e tij vepruese: “nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e fillimit të procedurës së zgjedhjes nuk zgjidhet Presidenti i Republikës së Kosovës.”
Pra, saktësisht përcaktohet se kur dhe në cilat rrethana mund të shpërndahet Kuvendi. Ky kusht ende nuk është plotësuar. Ka kohë deri në ditën e gjashtëdhjetë pas datës 5 mars. Pra, janë edhe dy muaj për të provuar zgjedhjen e Presidentit dhe për t’i shmangur zgjedhjet e parakohshme.
Kushtetuta e Republikës së Kosovës nuk mundëson “përmbysjen” e organit kryesor të qeverisjes – Kuvendit – nga askush, e as nga Presidenti i Republikës, i cili zgjidhet nga Kuvendi.
Dekreti për shpërndarjen e Kuvendit është akt në kundërshtim me Kushtetutën.



