Del incizimi: Një zyrtar iranian thotë se Mojtaba Khamenie për pak i mbijetoi sulmit izraelit

16 mars 2026 | 23:16

Lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, për pak i mbijetoi një sulmi ajror izraelit më 28 shkurt, pasi kishte dalë nga rezidenca e tij pak çaste para se raketat ta godisnin kompleksin, sipas një incizimi që ka rrjedhur dhe i cili është siguruar nga gazeta “The Telegraph”.

Në incizim thuhet se dëgjohen komentet e Mazaher Hosseinit, drejtor i protokollit në zyrën e ish-liderit tashmë të ndjerë, Ali Khamenei, drejtuar klerikëve dhe komandantëve të lartë të Rojës Revolucionare në një takim të mbajtur më 12 mars në Teheran, transmeton gazeta “The Times of Israel”.

Sipas Hosseinit, Mojtaba kishte dalë në kopshtin e kompleksit para se Izraeli ta godiste rezidencën në orën 9 e 32 minuta të paradites sipas kohës lokale. Nga sulmi i 28 shkurtit u vranë disa zyrtarë të lartë, përfshirë Ali Khamenein dhe pjesëtarë të tjerë të udhëheqjes iraniane.

“Vullneti i Zotit ishte që Mojtaba kishte dalë jashtë në oborr për të bërë diçka dhe pastaj të kthehej. Ai ishte jashtë dhe po ngjitej shkallëve, kur ata [izraelitët] e goditën ndërtesën me një raketë” – dëgjohet duke thënë Hosseini në incizimin e publikuar nga gazeta britanike.

Sipas tij, Mojtaba Khamenei pësoi vetëm “një lëndim të vogël në këmbë” gjatë sulmit.

Hosseini shtoi se bashkëshortja e Mojtaba Khameneit, i biri i tyre dhe vëllai i gruas u vranë në sulm.

Mostafa Khamenei, një djalë tjetër i Ali Khameneit, gjithashtu ndodhej afër në kohën e sulmit, sipas incizimit, por ai dhe gruaja e tij arritën që të iknin pa u lënduar.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Aleatët perëndimorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës po reagojnë…